Krizën ekonomike është duke e përjetuar rëndë Kuba komuniste. Pritja për furnizim me naftë është duke zgjatur deri në një javë. Qindra kubanë janë duke pritur me ditë të tëra.
Sipas ekspertëve, mungesa e madhe e naftës është rezultat i domino efektit pasi autoritetet janë detyruar ta marrin naftën nga sektori i transportit për t’i mbajtur në punë termocentralet e energjisë elektrike.
Të shumtë janë ata që kanë udhëtuar deri në 900 kilometra dhe tani po presin deri në katër ditë para pikave të karburantit për furnizim.
Ata është dashur të ushqehen dhe të flenë në automjete për të ruajtur radhën.
Deri të enjten më shumë se 200 automjete janë renditur para pikës së karburanteve në Guanabacoa të Kubës.
Gjysma e naftës që kërkohet në Kubë sigurohet nga Venezuela, me të cilën Kuba ka marrëveshje të veçantë, mirëpo edhe shteti tjetër latin është duke u përballur me krizën ekonomike.
Në javët e fundit, shkaku i mungesës së naftës në termocentrale, ka pasur reduktime të gjata të energjisë elektrike. Kjo ka nxitur pakënaqësinë e kubanëve.
Më 11 korrik kishte revoltë popullore kundër mungesës së energjisë elektrike.