Biznesmeni nga Prizreni, Granit Paçarizin, që është i afërt me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, është arrestuar përsëri të shtunën nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka sulmuar disa persona pas një mosmarrëveshje për pronë.
Lajmin për arrestimin e tij e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Gashi tha se Policia bashkë me prokurorinë kanë nisur hetimet për këtë rast si lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.
“Motivi i kësaj ndërlidhet më një kontekst pronësor dhe prokurori ka vendosur që të dyshuarin ta ndaloj për 48 orë”, tha Veseli për Insajderin.
Gashi tha se deri të incidenti kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje në lidhje me një kontest pronësor.
Nuk është hera e parë që biznesmeni prizrenas, Granit Paçarizi, ka telashe me Policinë.
Paçarizi ishte arrestuar edhe në muajin prill për kanosjen e drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj dhe zyrtarëve të kësaj drejtorie.
“Ka me të vra para komune, nuk ke me gëzu pensionin” dhe “ nuk guxon kush me ndërpre kontratën”, ishin fjalët me të cilat biznesmeni Granit Paqarizi kërcënoi zyrtarët e komunës së Prizrenit.
Kërcënimi i tij kishte të bënte me kontratën e projektit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, kontratë kjo që ishte fituar nga miqtë e biznesmenit prizrenas, shkruan Insajderi.
Gjykata Themelore në Prizren i kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për biznesmenin Granit Paqarizit.
Kush është Granit Paqarizi, dhe cilat janë lidhjet e tij me Partinë Demokratike të Kosovës
Lidhjet e Granit Paqarizit, ndërmarrësit që ka në pronësi disa biznese, me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk janë të vonshme.
Zanafilla e tyre ka nisur nga momenti kur ish-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili për shumë vjet e ka drejtuar PDK-në, ia kishte falur Paqarizit një vit nga dënimi me burgim.
I njëjti ishte i përfshirë në një në një përleshje masive në vitin 2013, ku kishte edhe persona të plagosur nga arma e zjarrit.
Ai ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje për çka edhe ishte shpallur fajtor mirëpo prokurori e kishte rihapur rastin duke e akuzuar për të dytën herë, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Pas lirimit nga burgu, si për ta falënderuar ish-Presidentin për veprimin, Paqarizi pinte birra së bashku me djalin e Thaçit, Endritin, dhe e kujtonin atë, e Kadri Veselin që gjenden në Hagë.
Paqarizi shoqëri kishte dhe me Veselin, kur ku i fundit ishte i lirë – dilnin dhe bënin gëzuar me shampanjë në prag të zgjedhjeve lokale të viti 2017, në Prizren.
Aty nuk mungonte as Totaj, kryetari i tanishëm i komunës së Prizrenit. Miqësia e tyre kishte vazhduar edhe më tej.
Kush janë miqtë e Paqarizit për të cilët ai i kërcënoi zyrtarët e komunës së Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, në janar të vitit 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj tre miqve të Granit Paqarizit, për të cilët ai i kishte kërcënuar të hënën zyrtarët e komunës së Prizrenit duke iu thënë se “nuk guxojnë ta ndërpresin kontratën e projektit: Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Aktakuzë kundër të tre personave ishte ngritur për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve.
G.P., S.S., B.S., si persona përgjegjës në kuadër të personave juridik akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” në tenderin “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Gazeta Insajderi pati mësuar se tre biznesmenët e arrestuar janë Gent Pupa, Sahin Skeya dhe Bekim Syla, persona me të cilët Paqarizi ka lidhje miqësie, fakt ky që tregohet edhe në postimet e tij në Facebook.
Gent Pupa dhe Sahin Skeya, nga Prizreni janë pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. kurse Bekim Syla nga Prishtina është pronar i kompanisë “Cons ENG”.
Që të tre këta biznesmen dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milionë euro.
Sipas aktakuzës, Gent Pupa dhe Sahin Skeya, afaristë nga Prizreni, kanë shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertimit për tenderin e vlefshëm 1.3 milion euro. Që të dy këta biznesmen akuzohen se kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë tender.
“Me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro”, thuhet në aktakuzë
Ndërkaq, më 26 qershor 2020 Bekim Syla dyshohet se si drejtor i kompanisë “CONS ENG”, i ka lëshuar një faturë fiktive firmës private që përfitoi tenderin milionësh të Komunës së Prizrenit.
“Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme”, thuhet në aktakuzë.
Me këto veprime, Pupa, Skeya dhe Syla ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas Kodit Penal.
Se “keqkuptimi” ka ndodhur për këtë kontratë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj.
“Kjo kontrata është legjitime, sepse një pjesë e kontratës është në procedurë gjyqësore, kështu që derisa drejtësia nuk merr ndonjë vendim të prerë, dhe edhe me dashtë me ndërpre nuk mund ta ndërpremë kontratën”, ka thënë Lamaj.
Keqpërdorimet e dyshuara në këtë aktivitet të prokurimit publik ishin raportuar nga Organizata jo-qeveritare, AVONET, vitin e kaluar.
Siç raportoi AVONET-i, Komuna e Prizrenit, i dha operatorit ekonomik “NABS” Sh.P.K. kontratën me vlerë mbi 1 milion euro, me dokumente fiktive në procesin e instalimit të ndriçimit publik në këtë komunë.
Kjo organizatë e ka ngritur zërin edhe ndaj çështjes së kërcënimit, duke i bërë thirrje Prokurorisë së Prizrenit që ta hetojë rastin në fjalë.