Pronari i kompanisë “Zhitia Turist” kërcënon gazetarët: Kam me ju kall me çka keni

Pronari i kompanisë “Zhitia Turist”, Gazmend Zhitija, ka kërcënuar me jetë gazetarët e redaksisë së Gazetës Infokus, për publikimin e videos ku shihen mërgimtarët duke e shtyrë autobusin e kësaj kompanie, në kufirin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë.

“Kam me ju kallë me çka keni nëse nuk e fshini shkrimin dhe videon dhe nëse merrni me kompaninë time. Kush merret me kompaninë time e kalli krejt. Ju e keni adresën aty dhe kam me ju gjet”, ka thënë ndër të tjera kërcënuesi Gazmend Zhitia.

Personi në fjalë kur ka telefonuar në numrin e redaksisë është prezantuar si pronari i kompanisë “Zhitia Turist”, dhe pavarësisht se ai është sqaruar se lajmi është bërë duke u bazuar në videon që e kanë dërguar lexuesit dhe ka në fokus mërgimtarët që detyrohen të shtynë autobusin në pikën kufitare, prapë ka insistuar se kjo po i bëhet me qëllim dhe ka vazhduar me kërcënime.


Gazeta Infokus ka publikuar videon ku shihen mërgimtarët të cilët po kthehen nga pushimet e festave të fundvitit, të cilët janë detyruar ta shtynë autobusin në pikën kufitare Sllovenisë – Kroaci, derisa ai duket që ka pësuar një defekt.

Në asnjë rresht në artikull nuk përmendet kompania në fjalë pronari i së cilës, Gazmend Zhitija, ka telefonuar në redaksi dhe ka kërcënuar gazetarët me jetë, duke thënë se “kam me ju kallë me çka keni“.

Një person tjetër me emrin Arton Zhitia, që në Facebook të Gazetës Infokus po ashtu është prezantuar si pronar i kompanisë ka shkruar se defektet ndodhin gjithkund në botë, e duke akuzuar se lajmin që kemi publikuar është prishje e imazhit të firmës.

Për dallim nga kërcënimi me jetë që ka bërë përmes telefonit Gazmend Zhitia, personi tjetër Arton Zhitia në Facebook ka kërcënuar me denoncim tek organet e rendit.

“Pronari i kompanisë që e keni postu lajmin, defektet ndodhin gjithkund në botë. Kjo që ju e keni bo është prishje e imazhit të firmës, denoncim dhe organet e rendit merren me ju. Shnet”, ka shkruar Arton Zhitia në mesazh të facebook @Infokusi.

Për këtë kërcenim redaksia ka njoftuar policinë e Kosovës dhe ka hapur rast për kërcenim.