POLITIKE

Propozimi franko-gjerman, Vuçiç: Shumë e vështirë për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia nuk i refuzon bisedimet me Kosovën, por se ajo që ka parë nga propozimi franko-gjerman, është “shumë e vështirë për Serbinë”.

“Nëse do të duhej të merrja vendim në këtë moment… ata nuk na dhanë shans. Shpresoj që në dokumentin e ardhshëm, të paktën të na japin një shans”, tha Vuçiç për televizionin serb, TV Prva.

Ai nuk sqaroi se çfarë dokumenti pritet.

Rreth një muaj më parë, në opinion u shfaq informacioni se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd një propozim se si t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Megjithatë, propozimi nuk u bë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht.

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistencën e ndonjë dokumenti të tillë.

“Kur më erdhën për herë të parë përfaqësuesit e [kancelarit gjerman Olaf] Scholz dhe [presidentit francez Emmanuel] Macron, nuk pranova ta marr letrën, sikur ta dija… sepse supozova se do ta publikonin shqiptarët. Më thanë se letra ishte sekret. Të gjithë e kanë të qartë se kush e shkeli marrëveshjen”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha se shpreson se versioni që do të marrë nga përfaqësuesit e vendeve të Quint-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia – të jetë ndryshe nga ai i publikuar në mediat shqiptare, por nuk specifikoi më shumë.

Në mediat në Kosovë qarkulluan disa shkrime, sipas të cilave, propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.

Vuçiç tha më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Vuçiç tha se kjo është e papranueshme për Serbinë, por shtoi se “është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja”.

Duke folur të enjten për TV Prva, ai përsëriti se “ka detaje të ndryshme që përmenden në oferta”.
“…na ofrojnë qasje të hapur në BE, por të mos kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha, mes tjerash, ai.

Duke komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rrugën përpara është çështje javësh e jo vitesh, Vuçiç tha se këtë e ka dëgjuar në shumë biseda, por se nuk mendon se është reale, sepse, sipas tij, Prishtina duhet ta përmbushë atë që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit: ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në fund të vitit 2015, ka konstatuar se disa konkluzione në të, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen përmes një statuti.

Udhëheqësit e tanishëm në Kosovë insistojnë se asociacioni me kompetenca ekzekutive do të ishte i dëmshëm për vendin.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur.

Në Kosovë thonë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të duhet të përfshijë njohjen reciproke, por në Serbi, tash për tash, e kundërshtojnë një gjë të tillë.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BREAKING NEWS

Izraeli konfirmon vrasjen e ministrit të Inteligjencës iraninae: Askush në Iran nuk gëzon imunitet, janë në shënjestër

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka konfirmuar vrasjen e Ismail Khatib, ministër i Inteligjencës…

4 orë ago
  • POLITIKE

Kryetari i Knesset-it me elozhe për Ramën dhe Shqipërinë: Treguat guxim, jeni shembull për botën

Kryetari i Parlamentit të Izraelit (Knesset), Amir Ohana, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë,…

6 orë ago
  • KRYESORE

“U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë

Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së betonit në një kantier…

7 orë ago
  • POLITIKE

“Mesazh i koduar nga Vuçiç?!”, Presidenti serb: E dimë çfarë kanë kazermat në Shqipëri dhe Kosovë

Serbia po avancon në sigurimin e industirsë së armatimeve. Është vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar…

7 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Shqiptari që jeton në Vjenë jep detaje për tragjedinë ku vdiqën kosovarët

Avokati Mirsad Musliu, ka dhënë detaje mbi rastin tragjik në Vjenë të Austrisë, ku tre…

18 orë ago
  • BREAKING NEWS

Tragjike: Katër kosovarë dyshohet se humbën jetën në vendin e punës në Austri

Një rast i rëndë është regjistruar këtë të martë në Vjenë të Austrisë. Sipas raportimeve…

20 orë ago