Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka dalë në mbështetje të protestës së banorëve të Dugagjinit për ndërtimin e rrugës që lidh Shalë, Shosh dhe Pult me Shkodrën.
Në postim që ka bërë në rrjetet sociale, ai inkurajon qytetarët që protestën ta çojnë deri në fund pasi është një e drejtë legjitime.
Ai thotë ndër të tjera se Bashkia Shkodër ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për mirëmbajtjen e kësaj rruge edhe pse vazhdimisht përballet me pengesat e qëllimshme për arsye politike nga përfaqësuesit e Edi Ramës dhe në Shkodër.
“Duke mos dashur në asnjë moment ta politizoj këtë reagim model që komuniteti Dukagjinas ka patur në të dy protestat, dua të theksoj mbështetjen time absolute dhe të bashkisë Shkodër për ndërtimin e rrugës që lidh Shalë, Shosh dhe Pult me Shkodrën. Ajo që dua të bëj të qartë për opinionin publik dhe banorët e Dukagjinit në veçanti, është fakti se dokumentat janë zyrtare, kanë data të protokolluara dhe me to nuk mund të bësh lojëra fjalësh. Prandaj propagandën deputeti Benet Beci ta bëjë atje ku duhet, në parlament dhe tek kryeministri i tij Edi Rama që kanë anuluar investimin e kësaj rruge dhe bllokojnë politikisht në mënyrën më të shëmtuar çdo investim që ka të bëjë me Shkodrën.
Edi Rama dhe Benet Beci si ish drejtor i FSHZH-së kanë detyrimin sot të bëjnë publike arsyet përse e kanë anulluar financimin e kësaj rruge në vitin 2013 edhe pse kishte një projekt dhe fond të parashikuar, dhe prej 10 vitesh që qeverisin vendin, nuk kanë kryer këtë investim kur në zyrat e tyre është gati projekti për këtë rrugë. Edi Rama dhe Beci i tij e dijnë fare mirë se në vitin 2013 si për rrugën e Thethit dhe të Vermoshit, kishte projekt edhe për vazhdimin e rrugës së Dukagjinit nga Prekali ku ishte mbyllur faza e parë e investimit, por e anulluan si hakmarrje politike krahinore dhe sepse ishte gjithçka e realizuar nga qeverisja e PD deri në vitin 2013.
Bashkia Shkodër ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për mirëmbajtjen e kësaj rruge edhe pse vazhdimisht përballet me pengesat e qëllimshme për arsye politike nga përfaqësuesit e Edi Ramës dhe në Shkodër. Çdo lojë politike dhe skenar në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit do të marrë përgjigjen e merituar, sepse për ne nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë çështje fushatash, misioni që kemi marrë përsipër për t’i shërbyer qytetarëve të Bashkisë Shkodër”- shkruan ai.