Nga Dom Gjergj Meta
Ishte krejt e kuptueshme se me rënien e komunizmit, regjimit që e izoloi Shqipërinë për 45 vite me radhë, një pjesë e mirë e shqiptarëve, sidomos e të rinjve, do të largoheshin nga Shqipëria. Dëshira për liri dhe afërsia gjeografike e Evropës (nëpërmjet Italisë) në krahasim me vendet e tjera komuniste, e lehtësonte mërgimin e shqiptarëve drejt saj, duke bërë që Evropa të shndërrohej në destinacionin e natyrshëm të shqiptarëve.
Është fjala për rinisjen e largimeve nga Shqipëria, sidomos të të rinjve dhe të familjeve. Në sa pak mundësi ofrojnë këto rreshta, që me siguri kanë nevojë për një shtjellim më të thellë, si dhe për referenca statistikore apo edhe studimore, po mundohem të nxjerr në pah disa arsye pse kjo hemorragji vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Mendoj se kërkimi i shkaqeve të kësaj ikjeje është më i ndërlikuar se sa thjesht kërkimi i fajtorëve, të cilët rëndom duam t’i gjejmë në ndërrimet e pushteteve.
Më së pari, më vjen ndër mend kjo shprehje: “Lost in transition”, dhe do ta nisja këtë argumentim pikërisht me të, meqenëse përmbledh ç’ka sollën këto vite tranzicioni, të cilat duket se nuk i përmbushën ëndrrat e thurura në fillim të viteve ‘90. Brezi i të rriturve nuk arriti ta përcillte tek të rinjtë entuziazmin dhe pasionin për ndërtimin e një shoqërie të jetueshme për të gjithë: demokratike dhe të zhvilluar.
Shumë prej tyre u zhgënjyen dhe u strukën disi në atë gjendje, kështu nuk mundën të përçonin tek më të rinjtë ndjenjat e shpresës. Ata nuk ia dolën, kësisoj u shkurajuan dhe herë me fjalë e herë me heshtje, iu lanë të rinjve porosinë: “Ky vend nuk bëhet. Ikni!”
As prindërit, as mësuesit e profesorët e as politikanët, nuk arritën të ngjallnin shpresë. Pak a shumë të gjithë ne dështuam që t’ju trashëgonim brezave pasardhës frymëzim e besim. U borrëm në tranzicion… Së dyti, përkundër mëtimeve revolucionare marksiste, nuk është përplasja apo dialektika midis të pasurve dhe të varfërve ajo që e çon përpara shoqërinë.
Zhvillimet e saj, përgjithësisht i sjellin shtresat e mesme: artistët, arsimtarët, punëtorët e administratës, njerëzit e shkencës, gazetarët, etj. Por kjo shtresë u la në limitet e mbijetesës ose u përdor ekonomikisht a politiksht, duke ua bërë të pamundur prurjen e diçkaje rrënjësisht të re, diçkaje që do të çonte drejt një ndërrimi domethënës nëpërmjet kulturës, shkencës dhe arsimit, të cilat janë nxitëset kryesore të ndryshimeve.
Prandaj, të rinjtë kërkuan universitete, auditore dhe skena të tjera, jashtë vendit, për ta afirmuar vetveten.
Së treti, rregullat e tregut. Në ditët e sotme, fatkeqësisht, edhe arsimi e shkenca janë të orien[1]tuara nga logjikat e punësimit dhe të fitimit. Largimet e këtyre viteve nuk janë më vetëm thjesht çlirim nga zgjedha e diktaturës, por janë të diktuara dhe të cytura nga rregullat e tregut të punës ose/edhe të fitimit. Një shoqëri, e cila përditë e më shumë ka si model njeriun e fortë dhe të pasur, sigurisht që do të ndjekë rregullat e tregut, edhe kur këto rregulla janë më shumë instinkte xhungle se sa lojë e ndershme ekonomike.
Ekonomia informale, pasurimi nëpërmjet trafiqeve, kriminalitetit apo korrupsionit, nxiti shumë të rinj që të kërkojnë rrugët e pasurimit të shpejtë, t’i ëndërrojnë ato dhe të mundohen t’i ndjekin. Ja pse sot vende si Spanja, Hollanda dhe Anglia kanë probleme me kriminalitetin me origjinë shqiptare. Po ashtu, plakja dhe denataliteti i shumë vendeve perëndimore, krijoi tregje pune me rroga të mira, të cilat akoma joshin shumë njerëz edhe kur ata kanë një punë të mirë këtu në Shqipëri.
Së fundmi, dhe me këtë do ta mbyll arsyetimin tim, shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të jetë një shoqëri e rritur (adulte), dhe si e tillë, ajo ende nuk është shkëputur tërësisht, domethënë, nuk është emancipuar nga e kaluara e saj. Një nga gjërat prej të cilave shoqëria jonë duhet të shqitet menjëherë është koncepti i partisë – shtet dhe delegimi te ky koncept i zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me të mirën publike dhe me jetën e familjeve apo të individëve.
Kjo është një nga pasojat më të rënda të regjimit komunist, sa i përket demokracisë së vendit tonë, e cila gjithashtu nuk është një demokraci e rritur. Në këto kushte të mosrritjes së shoqërisë dhe të demokracisë, shumë njerëz kërkojnë hapësira të tjera për ta gjetur vetveten dhe për t’u rritur. Me siguri, edhe nga kjo pikëpamje, shoqëritë perën[1]dimore ofrojnë më tepër se sa shoqëria shqiptare.
Editorial për revistën Newsbomb