Ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, e ka vlerësuar si dëshmi të miqësisë mes dy popujve, lansimin e pullave postare me fotografitë e xhudistëve kampionë dhe të tjerave me motive nga vendi.
Posta e Japonisë ka nxjerrë në shitje një edicion të limituar të pullave postare, ku kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, ka fjalën kryesore.
Iniciativa për këtë seri të pullave postare është marrë nga ambasadori Malazogu në bashkëpunim me qytetin Sanjo, ku ekipi olimpik i Kosovës do të vendoset gjatë Lojërave Olimpike të kësaj vere “Tokio 2020”.
Sanjo ishte shtëpi e xhudistëve edhe gjatë botërorit të vitit të kaluar të mbajtur në Tokio dhe aty zuri fill miqësia mes xhudistëve kosovarë dhe banorëve japonezë të këtij vendi, transmeton Koha Ditore.
Prej 11 pullave postare me motive të Kosovës, katër janë me fotot e xhudistëve kampionë, e një i është kushtuar edhe trajnerit Driton Kuka.
Malazogu ka thënë se seti i pullave postare është mirëpritur shumë mirë në Sanjo që me padurim po presin ekipi kosovar gjatë muajit gusht. Sipas Malazogut, seti i pullave postare kushton 11 euro dhe është edicion i limituar.
“Pullat tashmë janë hedhur në treg dhe janë mirëpritur prej të gjithëve. Seti i pullave postare kushton 11 euro dhe është edicion i limituar. Kjo është një shenjë e bashkëpunimit të mirë dhe të shëndoshë që e kemi me kryetarin e Komunës së Sanjos, një qytet shumë i mirë dhe mikpritës për kosovarët”, është shprehur Malazogu të premten për gazetën. “Në fakt, pullat postare janë vetëm disa prej gjërave që qyteti Sanjo ka bërë për Kosovën. Qyteti ka hapur edhe një mini-muze të Kosovës, në të cilin, krahas disa artefakteve, ka edhe fotografi të Majlinda Kelmendit. Ideja jonë e përbashkët është që me këtë komunë të kemi bashkëpunim edhe pas Lojërave Olimpike. Ne po mundohemi edhe me disa komuna të tjera të bëjmë bashkëpunime të tilla, sikurse me Sanjon”.
Malazogu ka folur edhe për mikpritjen që iu bë xhudistëve vitin e shkuar, kur në Tokio u mbajt Botërori. Kosova fitoi tri medalje në këtë Botëror.
“Qytetin Sanjo e kemi përzgjedhur për të mirëpritur ekipin e Kosovës për LO ‘Tokio 2020’. Vitin e shkuar e kemi testuar kur xhudistët ishin në Kampionatin Botëror që u mbajt në Tokio dhe gjithçka ka qenë perfekte, edhe trajneri Driton Kuka është ndarë i kënaqur me mikpritjen. Pas kësaj, ne si Ambasadë e kemi lidhur marrëveshjen me kryetarin e komunës së këtij qyteti që është një mik i mirë imi dhe pas këtij bashkëpunimi, kanë ardhur edhe pullat postare”, është shprehur Malazogu.
Sipas Malazogut, disa banorë të kësaj komune kishin udhëtuar në Tokio në gusht të vitit të shkuar për t’i përkrahur xhudistët e Kosovës në Botëror.
”Xhudistët tanë vitin e shkuar në Tokio kanë pasur edhe përkrahjen e rreth 30 banorëve të Sanjos që kishin udhëtuar për ta përcjellë Majlindën. Kur ajo garoi, vetëm flamuj të Japonisë ka pasur më shumë sesa të Kosovës në palestër. Si ambasadë, po angazhohemi maksimalisht për të bërë një punë të mirë. Ata i kanë përzgjedhur fotot, kurse ne u kemi ndihmuar për t’i siguruar ato”, tha Malazogu.
I nderuar me pullat postare, është shprehur edhe trajneri Driton Kuka.
“Në Japoni pulla postare me ekipin tonë si shenjë e miqësisë dhe respektit për ekipin tonë! Punë serioze e Ambasadorit Malazogu për Botërorin e vitit të kaluar si dhe për Lojërat Olimpike sivjet”, ishte reagimi i Kukës në rrjetin social “Facebook”.