Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha në një konferencë në Kopenhagë të enjten se “pushtimi rus i Ukrainës po lëkundet” dhe se “ka filluar të dështojë”, shkruan Guardian .
“Duhet kuptuar se luftimet vazhdojnë ende dhe se shumë njerëz po humbasin jetën. Por Rusia deri më tani ka dështuar në qëllimin e saj dhe nuk ka gjasa që ajo të arrijë ndonjëherë të pushtojë Ukrainën”, tha Wallace në konferencë.
“Pushtimi i tyre është ngadalësuar dhe qëllimet e tij janë duke u modifikuar vazhdimisht – veçanërisht, Rusia tani po fokusohet me të vërtetë vetëm në pjesë të jugut dhe lindjes së Ukrainës. Është shumë larg nga i ashtuquajturi “operacion special” i tyre treditor. Ato tre ditë kanë kaluar shumë. Pas gati gjashtë muajsh, rusët pësuan humbje të mëdha në armë, por edhe në njerëz”, tha Wallace dhe shtoi:
“Presidenti Putin mendoi se deri në gusht do të lodheshim nga ky konflikt dhe se komuniteti ndërkombëtar do të lëvizte në një drejtim tjetër. Sot është vërtetuar e kundërta, tha Wallace”.
– Në këtë takim të sotëm, u angazhuam për ndihmë financiare shtesë për Ukrainën, ndihmë shtesë në formën e trajnimit për ushtarët e tyre dhe ndihmë shtesë në armët që do të dërgojmë. E gjithë kjo ka për qëllim të ndihmojë Ukrainën të arrijë fitoren, të mbrojë sovranitetin e saj dhe të sigurojë që ambiciet e Putinit në Ukrainë të dështojnë siç duhet, tha Wallace.
Britania e Madhe, e cila tashmë ka dhuruar armë të avancuara për Kievin dhe ka trajnuar mijëra ukrainas, njoftoi të enjten se do t’i japë Ukrainës një ndihmë tjetër me vlerë 300 milionë euro, e cila përfshin sisteme raketore me shumë të fuqishme dhe raketa precize M31A1 që mund të godasin objektivat deri në 80 kilometra larg.
Ukraina njoftoi në fillim të këtij muaji se kishte marrë armë të rënda me precizion të lartë nga Gjermania dhe SHBA.