Urdhrin për armëpushim mesa duket Vladimir Putin do ta përdorë për të grupuar forcat e tij ushtarake.
Armëpushimin në fjalë, Kievi nuk e pranon ndërsa Perëndimi e ka karakterizuar si aktrim. Por, sipas asaj që raporton britanikja The Guardian, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka njoftuar tashmë se Rusia do të urdhërojë mobilizimin e deri në 500,000 trupa në janar.
Në tetor vendi pushtues mobilizoi 300 mijë qytetarë dhe kjo është interpretuar tashmë si një shenjë që tregon se lideri rus nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës.
Vadym Skibitsky, zëvendës-shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, u shpreh se Ukraina beson se rekrutët do të jenë pjesë e një serie sulmesh ruse në pranverë dhe verë në lindje dhe jug të vendit.
Deri më tani, Rusia ka mohuar se po përgatit një valë të dytë mobilizimi ndërsa Putini deklaroi muajin e kaluar se ishte “e pakuptimtë” të flitej për rekrutimin e ri pasi, sipas tij, vetëm gjysma e të mobilizuarve në tetor ishin dërguar në Ukrainë.
Nëse vlerësimi i Kievit rezulton i saktë, Rusia do të ketë thuajse dyfishuar fuqinë e saj të paraluftës brenda disa muajsh. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës raportoi se 280,000 trupa tokësore ruse janë vendosur aktualisht kundër Ukrainës.