POLITIKE

Qeveria e re me pro-rusë e pro-serbë e Malit të Zi do jetë jetëshkurtër

Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi të martën qeverinë e re të kryeministrit Milojko Spajiç me mbështetjen e deputetëve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që kundërshtojnë NATO-n dhe orientimin pro-perëndimor të Malit të Zi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian haptas kanë kundërshtuar me muaj përfshirjen e partive politike, që ata i cilësojnë anti-perëndimore, në koalicionin qeverisës të Malit të Zi.

Qeveria u mbështet nga votat e 46 deputetëve të shumicës së re parlamentare, ndërsa kundër votuan 19 deputetë të opozitës. 5 deputetë munguan dhe 1 abstenoi nga votimi. Kabineti qeveritar mori mbështetjen e partisë “Evropa Tani” e kryeministrit Spajiç, nga koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që dikur njihej si Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, deputetët e partisë“Demokratët”, “Partia Popullore Socialiste” dhe dy koalicionet shqiptare,” Alternativa Shqiptare” dhe “Forumi Shqiptar”.

Pjesë e marrëveshjes për formimin e qeverisë ishte zgjedhja e Andrija Mandiçit, njërit prej drejtuesve të ish Fronti Demokratik në shkëmbim të mbështetjes së deputetëve të këtij formacion për qeverinë e pakicës. Po ashtu, ish Fronti Demokratik do të bëhet pjesë e qeverisë malazeze vitin e ardhshëm nëpërmjet ristrukturimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian ishin kundër zgjedhjes së politikanit Mandiç në krye të Parlamentit të Malit të Zi, duke e cilësuar atë si kundërshtar të orientimit pro-perëndimor të vendit. Kryeministri Spajiç para gazetarëve tha se shpreson në zhbllokimin e integrimeve europiane.

“Kemi pasur një qeveri totalisht jofunksionale që ka përmbushur vetëm 8 deri në 10 për qind të detyrimeve të saj, që është një nivel skandaloz i ulët, i paprecedentë në historinë e integrimit europian jo vetëm të Malit të Zi, por edhe të ndonjë vendi tjetër,” – tha zoti Spajiç. “Shpresojmë se do të zhbllokojmë. Integrimi evropian dhe ne do të fillojmë shpejt dhe do të bëhemi anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian.”

Deputetët e opozitës kritikuan formimin e qeverisë së re duke e cilësuar atë si “qeveri e ndërtuar mbi nacionalizmin dhe ekonominë e huazimit”. Ata e akuzuan kryeministrin Spajiç për zgjedhjen në postin e kryetarit të parlamentit të Andrija Mandiçit, një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi. Opozita tha se kjo ishte një “ditë e zezë” për Malin e Zi dhe shpresat e tij për t’u bashkuar me BE-në së shpejti.

Grupe qytetarësh dhe pjesë të opozitës protestuan në Podgoricë kundër zgjedhjes së kryetarit Mandiçit në krye të parlamentit. Protestuesit thanë se zgjedhja e Mandiçit është një goditje tjetër për themelet e shtetit të Malit të Zi. Përkundër premtimeve të kryeministrit të sapozgjedhur Spajiç për të realizuar një agjendë reformash për të shpejtuar integrimet evropiane, analistët në Mal të Zi shprehën dyshimet e tyre për një orientim të tillë të qeverisë së re. Sipas analistit Velija Muriq qasja dhe retorika “ta përkujton vitin 1918 kur Mali i Zi humbi shtetësinë.”

“Duke e pare retorikën e paraqitur në seancat parlamentare nga koalicioni qeverisës të përkujton vitet 1918 kur Mali i Zi e humbi shtetësinë dhe kishën autoqefale,” tha analisti Muriq për Zërin e Amerikës. Sipas tij “qeveria e re do të shënojë hapa prapa sidomos në integrimet euroatlantike”.

Analisti Ismet Kallaba mendon se qeveria e re do të jetë jetëshkurtër.

“Formimin e qeverisë së re e shoh si një eksperiment të radhës, e shoh si një qeveri e cila nuk do të ketë jetëgjatësi për shkak të përbërjes së saj, të rrymave dhe orientimeve të ndryshme duke pasur parasysh se aty marrin pjesë edhe parti që janë me orientim të kundërt europian”, tha zoti Kallaba.

Zgjedhja e qeverisë i dha fund mandatit teknik të qeverisë së Dritan Abazoviqit, e cila u rrëzua me një votë mosbesimi në gusht të vitit 2022. Qeveria e zotit Milojko Spajiç është e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash, nga pushteti u largua Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BOTA

‘Gjuetia’ që s’ka të ndalur! Si po i eliminon Izraeli një e nga një gjeneralët e Iranit dhe Hezbollahut

Abolghasem Babeian u vra të shtunën në Teheran. Pothuajse në të njëjtën kohë u vranë…

3 orë ago
  • KRYESORE

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme në lidhje me dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,…

3 orë ago
  • KRYESORE

“Po i hedhin benzinë zjarrit”, Erdogan paralajmëron Iranin

Presidenti i Recep Tayyip Erdogan ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme,…

4 orë ago
  • KRYESORE

Presidentja Osmani në pritje të Kushtetueses, ende pa dekret për datën e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka nënshkruar ende dekretin për datën e zgjedhjeve,…

5 orë ago
  • KRYESORE

Anije iraniane përfshihet nga flakët pas sulmeve izraelite

Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë flakë dhe tym të dendur që ngrihen nga…

7 orë ago
  • BOTA

Trump: Çmimi i lartë i naftës është i vogël për paqen në botë, shumë shpejt do bie

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, komentoi në rrjetin social Truth Social rritjen e ndjeshme të…

8 orë ago