“Gjykoj se revolta e VV dhe e qytetarëve është e motivuar për disa arsye: Së pari, sepse asnjë qeveri nuk mund të rrëzohet para se ajo të bëjë së paku 100 ditë në pushtet, me qëllim që të shihej një lloj rezultati në punën e saj. Së dyti, sepse ndonëse e bazuar në vullnetin e përfaqësuesve të sovranit, rrëzimi i qeverisë “Kurti” ndodhi si rezultat i një komploti Thaçi-Mustafa! Komplotet dhe intrigat janë gjëra të urryera në demokraci, sepse e transferojnë pushtetin padrejtësisht te subjekte që nuk e meritojnë.”, ka thënë prof. Enver Bytyçi.
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për krijimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Kështu është paralajmëruar nga zyrtarë të Lidhjes Demokratikë të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat të mërkurën zyrtarizuan marrëveshjen për koalicion.
Gjithashtu, LDK ka arritur marrëveshje edhe me Nismën Socialdemokrate.
Por, krijimi i një Qeverie të re në kohë pandemie mund të jetë shkak i trazirave në vend, pasi që janë paralajmëruar protesta. Të paktën kështu po vlerësohet nga ekspertët.
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se konflikti politik ishte i panevojshëm dhe se dy forca janë rreshtuar kundër njëra tjetrës.
Bytyçi: LDK është bërë palë me të korruptuarit
Ai shprehet se njëra nga forcat po reziston për shkak të lidhjes së interesave dhe bashkëpunimit në paligjshmëri, korrupsion dhe ndoshta edhe krime.
“Konflikti politik, që për mua ishte i stisur e për këtë arsye krejt i panevojshëm, e ka tensionuar situatën në Kosovë. Fatkeqësisht duket qartë se janë rreshtuar kundër njëra-tjetrës dy forca: Njëra që e kërkon ndryshimin dhe është mandatar për këtë ndryshim nga sovrani. Dhe forca tjetër që reziston fort, sepse ka ende fuqi të rezistojë. Të rezistojë jo për shkak të ndonjë ideologjie konservatore. Por të rezistojë për shkak të lidhjes së interesave dhe bashkëpunimit në paligjshmëri, korrupsion dhe ndoshta edhe krime. Mesa duket Kosova nuk i dha fuqi të mjaftueshme ndryshimit, prandaj dhe qeveria e dalë nga 6 tetori u rrëzua aq shpejt. Megjithatë kjo nuk është ndonjë tragjedi. Betejat midis forcave të papajtueshme janë disa”, ka thënë Byryqi.
Për më tepër, profesori shprehte se LDK-ja nominoi në Këshillin e Përgjithshëm kryeministrin e ri, i cili nuk ka lidhje me korrupsionin, por është bërë palë me të korruptuarit.
“Tani jemi para një fakti të kryer. Dy të tretat e deputetëve bashkuan votat për rrëzimin e qeverisë legjitime dhe kërkojnë krijimin e një qeverie tjetër me një përbërje tjetër politike, do të thosha tradicionale në 20 vitet e fundit për Kosovën. Me shumicën e deputetëve shqiptarë që votuan mocionin e mosbesimit u bashkuan edhe pakicat, serbët dhe të tjerët. D.m.th se interesat e të korruptuarve dhe të Serbisë janë të njëjta në këtë vend. Lidhja Demokratike nominoi në Këshillin e Përgjithshëm kryeministrin e ri, i cili nuk ka lidhje me korrupsionin, por është bërë palë me të korruptuarit”, ka potencuar ai.
Po ashtu, Bytyçi, përmend edhe faktin që ka thirrje për protesta, dhe se në një konflikt të tillë politik sidomos në kohë pandemie ekziston mundësia për trazira.
“Në një konflikt të tillë politik sidomos në kohë pandemie ekziston mundësia për trazira. Moralisht Vetëvendosja është e motivuar për të reaguar me protesta. Disa organizata jo qeveritare kanë bërë thirrje për reagim dhe do të shohim se sa mbështetje do të marrin këto thirrje. Por unë shoh se pakënaqësia për ngjarjet e zhvilluara nuk është vetëm te VV, ajo shtrihet më tej. Personalisht nuk jam simpatizant i Vetëvendosjes, sepse ajo në opozitë nuk i njihte institucionet e Kosovës. Kjo ide më ka revoltuar, sepse nuk mund ta perceptoja se si një parti e një vendi nuk njeh institucionet e vendit të vet! Por në programin qeveritar gjithçka ndryshoi për mirë. Ndaj ndryshova qëndrim, duke theksuar disa kritika ndaj zotit Kurti, sidomos për marrëdhëniet e tij të ngushta me elementë përçarës në Kosovë, si Rexhep Qosja”, ka theksuar profesori.
Rrëzimi i qeverisë “Kurti” ndodhi si rezultat i një komploti Thaçi-Mustafa!
Gjithashtu, ai përmend disa nga arsyet të cilat e kanë motivuar Vetëvendosjen dhe qytetarët për revoltë.
“Gjykoj se revolta e VV dhe e qytetarëve është e motivuar për disa arsye:
Së pari, sepse asnjë qeveri nuk mund të rrëzohet para se ajo të bëjë së paku 100 ditë në pushtet, me qëllim që të shihej një lloj rezultati në punën e saj.
Së dyti, sepse ndonëse e bazuar në vullnetin e përfaqësuesve të sovranit, rrëzimi i qeverisë “Kurti” ndodhi si rezultat i një komploti Thaçi-Mustafa! Komplotet dhe intrigat janë gjëra të urryera në demokraci, sepse e transferojnë pushtetin padrejtësisht te subjekte që nuk e meritojnë.
Së treti, sepse e gjitha u stis në funksion të një politike anti-kosovare, për t’i hap rrugë nënshkrimit me procedurë të përshpejtuar të një marrëveshje anti-kosovare dhe anti-kombëtare me Serbinë. Për këtë shkak dhe ndoshta dhe për vetë disa gabime të Kurtit, ky i fundit u sulmua me nofkën e antiamerikanizmit, duke e trajtuar Amerikën si parcelë hashashi, jo si një të tërë!”, ka thënë Bytyçi.
Sipas profesorit, nëse gjykata kushtetuese shprehet në favor të qeverisë së re, atëherë VV-ja duhet t`i nënshtrohet këtij vendimi.
“Nëse LDK-së i ka mbet pak ekuilibër duhet që të mos votëbesohet në parlament sa kohë që nuk do të jetë shprehur gjykata kushtetuese. Ndryshe, Vetëvendosja me të drejtë ose jo do ta përdorte këtë si provokim të ri dhe do të motivohej më shumë për protesta. Nëse gjykata kushtetuese shprehet në favor të qeverisë së re, atëherë unë mendoj se Vetëvendosja duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi dhe të presë rrjedhën e ngjarjeve”, ka theksuar Bytyçi.
Ai shprehet se protestat do të ishin të motivuara sidomos në rastin e përgatitjeve të fundit për nënshkrimin e marrëveshjes së dëmshme me Serbinë.
“Opozita e VV duhet të kërkojë draft-marrëveshjen, para se ajo të firmoset. Nëse ia fshehin, atëherë asaj i lind e drejta për revoltë, protestë. Dhe nëse nënshkruhet prej Hashim Thaçit një marrëveshje që shkëmben territore, atëherë për mbrojtjen e territorit janë të lejueshme me të drejtë ndërkombëtare të gjitha mjetet. Vetëm territori nuk negociohet me askënd! Ky është parim kushtetues i çdo vendi dhe parim ndërkombëtar! Në dokumentet ndërkombëtare thuhet se nuk ndryshohen kufijtë me dhunë. Dhe në këtë rast Kosova do të ballafaqohet me dhunën e presidentit të vet shumë më tepër se sa me dhunën e Serbisë! Sepse shkelet kushtetuta e vendit!”, ka thënë ai.
Sipas tij, opozita duhet të përdorë të njëjtin standard në rast të keqqeverisjes, të reagoj brenda 50 ditëve të ardhshme të qeverisë së re.
“Por, protestat janë element i demokracisë edhe për t’u përballur me keqqeverisjen. Precedenti u krijua. Këta që vijnë në pushtet e rrëzuan qeverinë në 5o ditë. Opozita mund ta përdorë të njëjtin standard e të mos presë me muaj të tërë për t’u ballafaquar me dështimet e qeverisë. Mundet sipas modelit që ia dhanë në dorë të reagojë brenda 50 ditëve të ardhshme”, ka përfunduar Bytyçi