Kabineti qeveritar i Gjermanisë ka miratuar një projektligj të shumëpritur për të modernizuar ligjin e shtetësisë së vendit.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, tha se legjislacioni i propozuar do të thjeshtojë procesin e natyralizimit dhe do të mundësojë shtetësinë e shumëfishtë për emigrantët.
“Ne po paraqesim një projektligj modern të imigracionit, i cili do t’i shërbejë më mirë vendit tonë modern dhe të larmishëm. Ligji i ri i kombësisë është një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë sonë të koalicionit. Jam shumë e kënaqur që tani po e zbatojmë këtë”, tha Faeser.
Sipas projektligjit të propozuar, emigrantët do të kenë të drejtën e nënshtetësisë gjermane pas pesë vitesh qëndrimi në Gjermani, në vend të tetë viteve aktuale.
Për emigrantët që kanë treguar arritje të spikatura akademike ose profesionale dhe që kanë aftësi të mira gjuhësore, kjo periudhë do të reduktohet në tre vjet.
Projektligji gjithashtu do t’u mundësojë emigrantëve të kenë shtetësi të dyfishtë ose shtetësi të shumëfishtë, gjë që aktualisht nuk është e mundur për shumicën e emigrantëve.
Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do të mund të marrin nënshtetësinë gjermane nëse të paktën njëri prej prindërve ka jetuar ligjërisht në vend për të paktën pesë vjet. Këta fëmijë do të mund të mbajnë edhe shtetësinë e prindërve të tyre.
Aktualisht mbi 12 milionë persona në Gjermani, rreth 14 për qind e popullsisë së përgjithshme, nuk kanë shtetësi gjermane. Sipas shifrave zyrtare, rreth 5.3 milionë prej tyre kanë jetuar në vend për të paktën 10 vjet.
Reforma e ligjit të shtetësisë gjermane ishte një pjesë qendrore e marrëveshjes së koalicionit, kur Social-demokratët, të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë liberalë formuan një qeveri koalicioni trepalësh dy vjet më parë.
Kancelari Olaf Scholz vazhdimisht ka thënë se përshpejtimi i procesit të natyralizimit dhe lejimi i shtetësisë së shumëfishtë për emigrantët, do të rriste integrimin, pjesëmarrjen sociale dhe politike.
Projektligji i propozuar kërkon miratimin parlamentar për t’u bërë ligj dhe pritet të diskutohet në Bundestag pas pushimeve verore.