Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në foltoren e Kuvendit u ka bërë thirrje familjeve për kursim të energjisë, e po ashtu të izolojnë shtëpitë para se të fillojë ulja e temperaturave.
Ajo ka thënë se është një krizë e rëndë energjetike që nuk është parë që periudha pas Luftës së Dytë Botërore.
“Çfarë mund të bëjë secili nga ne është kursimi i energjisë elektrike brenda mundësive. Të marrim masa për izolim të shtëpive para se të fillojë ulja e temperaturave. Të ndryshohet mënyra e ngrohjes me mjete tjera e jo me energji elektrike, apo me mjete më efiçente. Ne si Qeveri kemi marrë masa e po vazhdojmë të marrim masa prej kursimit deri te mbështetja e atyre që nuk kanë mundësi”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka treguar masat që ka marrë Qeveria. Ndër to ka qenë subvencionimi i faturave, ndalimi i eksportit të peletit e mjeteve drusore. Po ashtu ndarja e 350 mijë eurove për ngrohtoren e Gjakovës. Ka thënë se është shfuqizuar vendimi që ndalonte dhurimin e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut. Ka thënë se punëtorët e KEK-ut do të marrin së shpejti thëngjill. Po ashtu ka thënë se janë ndarë 6 milionë euro për subvencionim të masave efiçente.
Vendimi i Qeverisë për vazhdim edhe për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji nuk pati kuorum për t’u votuar në Kuvend.