Rama “justifikon” mungesën e Kosovës në hartën spanjolle: Nuk jemi Irani, të kontrollojmë prezantimet e të ftuarve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka justifikuar mungesën e hartës së Kosovës në një prezantim të bërë nga një kompani spanjolle, gjatë Konventës Ndërkombëtare të Turizmit, e cila nisi të martën e 4 prillit aktivitetin e bashkë-organizuar për herë të parë në Tiranë me Organizatën Botërore të Turizmit.

“Kinse patriotët kanë gjetur punë sot duke u marrë me një hartë të prezantimit të presidentit të gjigandit spanjoll Melia Group në konventën e turizmit, ku mungonte Kosova! Dihet që Spanja ashtu e ka hartën e rajonit po asgjë e keqe s’i erdhi kombit nga dalja 1 minutë e asaj harte!”.

Kështu e ka nisur kreu i Qeverisë reagimin e tij lidhur me ngjarjen, e cila rroku vëmendjen mediatike në Shqipëri, mesditën e 5 prillit.

Më tej, ai shtoi se Shqipëria nuk është Irani, ku të ftuarve në konferenca ndërkombëtare u kontrollohen prezantimet dhe as konventa s’ishte sheshbeteja diplomatike për njohjen e Kosovës nga Spanja.

“E keqja kombit tonë i vjen bash nga ata që merren tërë ditën me kësi luftrash pa lidhje mes shqiptarësh!”, përmbylli reagimin kryeministri.

Situata e përfolur, është ajo kur, ndërsa të ftuarit në panel flisnin për investimet strategjike në turizëm dhe propozohej për një vizë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor në ndihmë të këtij sektori, një hartë e shfaqur prapa tyre tërhoqi jo pak vëmendje.

Në të u shpalos një hartë e rajonit me Shqipërinë dhe vendet fqinje, por me Kosovën si pjesë e Serbisë.

Ndërsa, konkretisht, harta e shpalosur ekzaktësisht pas krahëve të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, e cila ishte pjesë e panelit.

Ngjarje të tillë kanë marrë vëmendje të veçantë edhe në të shkuarën, kur ka pasur situata, të cilat lidhen me njohjen e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Një rast i tillë bëri bujë në shkurt 2021, kush kur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u shfaq në një fotografi gjatë një videokonference, me një hartë ku Kosova paraqitej si territor brenda Serbisë.

Ngjarja asokohe gjeneroi një debat të madh publik, me kritika ndaj përfaqësuesit evropian, i cili më pas dha edhe shpjegime lidhur me çështjen, duke e justifikuar veten se harta ishte në përputhje me direktivat evropiane sa i takon çështjeve territoriale.