Kryeministri Edi Rama i dërgoi një mesazh Serbisë gjatë fjalës së tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi kjo, së pari, do të ishte mirë për vetë Serbinë.
“Rajoni ballkanik është përballur me diktaturën komuniste dhe me luftërat e përgjakshme. Me një sërë mosmarrëveshjes që vazhdojnë, Shqipëria ka kremtuar Marrëveshjen e Prespës për çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut. Shqipëria u angazhua për ta bërë të mundur këtë gjë. Shqipëria ka mbajtur rol kryesor në bashkëpunimin rajonal. Republika e Kosovës e ka provuar veten si partnere e besueshme në rajon. Ka ardhur koha që miqtë tanë serbë të njohin pavarësinë e Kosovës, për t’i dhënë hakun historisë. E dashur Serbi, Kosova e pavarur është një realitet. Bëni histori për veten tuaj dhe më gjerë. Është e rëndësishme që Kosovës t’i jepet mundësia të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, siç bëhen të gjitha shtetet e globit. Unë shpresoj e besoj se Ballkani Perëndimor të shkëputet nga e kaluara dhe të zhvillohet më tej”, tha Rama.
Më tej, Edi Rama kishte një mesazh edhe ndaj BE-së, duke u shprehur se Bashkimi Europian po mban peng 2 milionë banorë në Kosovë, duke mos iu dhënë atyre të drejtën për të lëvizur lirshëm me anë të liberalizimit të vizave.