Janë nxjerrë nga humnera trupat e pajetë të dy turisteve të huaja. RTSH mëson se policia dhe skuadra apline, në bashkëpunim me emergjencat civile kanë bërë të mundur gjatë natës, nxjerrjen e dy trupave të pajetë të shtetases belge dhe asaj franceze nga “Qafë Valbona”.
Sipas informacioneve, bëhet me dije se dy shtetaset e huaja janë përkatësisht të datëlindjeve 1995, 1998.
Një ditë më parë, ato gjetën vdekjen teksa po eksploronin zonën e Valbonës, ku për shkak të terrenit të thepisur, ranë në greminë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, ato të Drejtorisë Vendore dhe të Policisë Kufitare, së bashku me ekipin mjekësor, u nisën menjëherë vendngjarje, por e kishin të pamundur të bënin nxjerrjen e trupave të pajetë nga humnera.
Gjithashtu edhe helikopteri nuk ka mundi të ulej në vendin ku u gjetën trupat e pajetë të dy turisteve.
“Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B.
Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes”, thuhej në njoftimin e policisë.