Çdo gjashtë muaj Fondi Monetar Ndërkombëtar raporton mbi gjendjen e ekonomisë botërore, duke shtjelluar parashikimet e saj. Por raporti i dalë sot është padyshim ai më i zymti i shkruar ndonjëherë, të paktën në parashikimet për dyvjeçarin e ardhshëm, ku ajo parashikon një rënie të ekonomisë globale me 3%.
Diçka e paprecedent, nga momenti që gjatë krizës financiare në 2009 rënia ishte vetëm me 0.1%. Është hera e parë nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, që ekonomitë gjithë vendeve kryesore do të jenë në recesion.
Sipas FMN-së, impakti i pandemisë në ekonominë botërore do të jetë tejet i rëndë këtë dy vjeçar, veçanërisht për ekonomitë europiane.
Sipas FMN-së, vendi që do të pësojë rënien ekonomike më të rëndë është Italia, që parashikohet se mund të humbë 9.1% të GDP-së në 2020, me një rritje me 4.8% në 2021, por që nuk do të mundet të rikuperojë humbjet e këtij viti. Por edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian do të shohin shifra dramatike.
Gjermania do të ketë një ulje me 7% në 2020, e balancuar me një rritje 5.2% në 2021. Në Francë, ulja e parashikuar do të jetë me 7.2%, në Spanjë me 8%.
Ndryshe situata në Shtetet e Bashkuara, kur humbja e parashikuar me 5.9% do të kapërcehet e gjitha në vitin pasues, ku pritet një rritje me 8.3%.
Sipas Raportit, gjithsesi, parashikohet që pandemia do të jetë një shtysë e madhe për një kalim epokal të ekuilibrave ekonomike nga perëndimi në lindje. Vende si Kina, India dhe Indonezia, edhe pse me ritme më të vogla, sërish këtë vit do të njohin rritje. Madje, Kina me rritje 1.2% në 2020 vitin që vjen do të njohë rritje me të paktën 9.2%.
Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, ku futet edhe Shqipëria, FMN parashikon një ulje me 5.2 % në vitin 2020, e balancuar në mënyrë të pjesshme nga viti 2021, ku rritja do të jetë 4.2%.