Nga Artan Diko
Kishat e ndërtuara kryesisht në periudhën e bizanitit në Berat kanë nisur të restaurohen falë kontributit të qytetarëve shqiptarë të shpërndarë kudo në botë, por dhe atyre vendas. Për restaurimin e tyre po kontribuojnë vullnetarisht dhe persona të besimeve të tjera. Një prej anëtarëve të këshillit kishtar tregon se të gjithë kontribuesit kanë dhënë donacione që historia e qytetit të mbrojtur nga UNESCO të ruhet.
“Gjithë beratsit nëpër botë, por dhe të tjerë jo vetëm ortodoksë por dhe myslimanë, me dëshirë duke dashur të ngrenë historinë e qytetit vetë, sepse historia e Beratit fillon me kishat. Kishat kanë lënë Një djalë që ka lindur në Berat, por s’është nga Berati jeton në Amerikë thotë: Do kontribuoj për kishat, se me to fillon historia e qytetit tim. Kam pasur një shok në ushtri është nga Skrapari, është bektashi. Bisedova me të dhe vajza e tij që ka firmë ndërtimi në New York kontribuoi me 300 dollarë” tha anëtari i këshillit kishtar.
Pjesa më e madhe e kishave që kanë nisur të restaurohen ndodhen në kalanë e Beratit. Gjithashtu po ngrihen nga e para ato që u shkatërruan gjatë luftës nacional-çlirimtare dhe komunizmit.
At Johani tregon më tepër detaje. “Kisha e Shën Marisë së Mangalemit është nga të shumtat, që me iniciative të Këshillit Kishtar dhe me ndihmën e miqve tanë në botë ka nisur të restaurohet. Po kështu dhe ajo e Shën Kollit të Karbunarës në kala, e Evangjelistës në kala. Kemi kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës në Kondas. Në majë të Shpiragut do nisë dhe kisha e profetit Shën Ilia. Në kala do restaurohen dhe kishat e vogla të Shën Sotirit dhe Shën Marinës në hyrje të kalasë” tregon At Johani.
Kisha e Shën Marisë së Ujrave, që ndodhej në Perëndim të lagjes Mangalem pranë Urës së vjetër të Goricës e ngritur në shekullin e 18, me dy kate është djegur dy here. Më pas në 1940 u prish nga italianët me pretekstin e zgjerimit të rrugës. Tani ka nisur puna që ajo të ndërtohet sërish dhe të jetë sa më e ngjashme me origjinale.
“Ka qenë kishe shumë e madhe u shkatërrua në 1940 për zgjerimin e rrugës. Populli i Beratit pa dallim feje ka një respekt të madh për këtë kishë për këtë vend të shenjtë. Mbaroi faza e parë e rikonstruksionit të taracës, faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin e saj dhe faza e tretë do të jetë rregullimi I fasadës së kishës. Do të jetë një kishëz shumë e bukur në shkëmb, në parametra shumë më të vogla nga origjinali por vlerat do ti mbeten të njëjta” sqaron At Johani.