Roja bregdetare e Suedisë zbuloi një rrjedhje të katërt gazi në tubacionet e dëmtuara Nord Stream në fillim të kësaj jave.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta Svenska Daglabet, duke cituar një zyrtar vendas.
Bashkimi Evropian dyshon se pas rrjedhjeve të gazit në tubacionet nënujore ruse drejt Evropës qëndron sabotimi dhe ka premtuar një përgjigje “të fortë” ndaj çdo ndërprerjeje të qëllimshme të infrastrukturës së saj energjetike.
“Dy nga këto katër janë në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë”, tha zëdhënësja e rojes bregdetare Jenny Larsson për gazetën suedeze.
Sipas saj, dy shkeljet e tjera janë në zonën ekskluzive ekonomike daneze.
Asnjë tubacion nuk ishte në përdorim gjatë kohës së shpërthimeve të dyshuara.
Por, ato ishin të mbushura me gaz i cili ka dalë në Detin Baltik që nga shpërthimet e së hënës.
Rrjedhja e katërt ishte në tubacionin Nord Stream 2, në afërsi të një vrime më të madhe të gjetur në Nord Stream 1 aty pranë, tha roja bregdetare suedeze.
Këtë javë, autoritetet daneze raportuan një vrimë në secilin nga dy seksionet e tubacionit në ujërat e tyre.