Mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” është i ftuar Sali Berisha, i cili ka folur për marrëdhënien që ka me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“Unë mendoj se në skedën politike shqiptare Albin Kurti është një politikan me një fibër të fortë politike. Po të përdorim një shprehje të huaj, është ‘kafshë politike’, njeri me instinkte dhe këtë e ka faktuar. Ka dallime mes tij dhe Tsipras, i pari është rritur në krahët e një miliarderi, ndërsa Kurti jo”, ka thënë Berisha.
“A do ketë të tjerë me karrierën e tij të gjatë politike, varet, mundet. Nuk kam asnjë marrëveshje, kemi pasur mendime të njëjta ndaj një problemi, ndaj një akti të paimagjinueshëm, të ndryshimit e copëtimit të kufijve të Kosovës. Ky ishte takimi i parë personal me Albinin. Unë jam për Kosovën e fortë, unë besoj që Albini do të japë kontributin e tij të plotë”, tha Berisha.
Ai shprehet se ka pasur simpati për projektin e Vetëvendosjes.
“Më vjen shumë mirë rishqyrtimi që Albin Kurti i ka bërë projektit. Ai pati kurajo të mbrojë ëndrrën e bashkimit kombëtar si pjesë e planit. Projekti që ai paraqit nuk ka ideal më fisnik, më sublim, se ideali i bashkimit kombëtar.
Ky është një proces dinamik në ecurinë e tij, që kërkon rrethana siç deshën ta bëjnë duke ndarë Kosovën midis Serbisë dhe Shqipërisë. Me atë nuk isha kurrë”, tha Berisha.