Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka njoftuar të enjten se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për ministrin e Financave, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.
“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka përgatit dhe e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, ka thënë Jashari në një konferencë për shtyp.
Tutje, Jasharaj u bëri thirrje mësimdhënësve të mos dorëzohen përballë shantazheve nga Qeveria, pasi thotë se “janë në rrugën e Zotit”.
“I kemi harxhuar të gjitha mundësitë për të dialoguar me Qeverinë. Kemi dërguar edhe një ndërmjetësues. Nuk e kemi mendjen me tradhtu zërin tuaj sepse po punojmë sipas zërit tuaj. Të urojmë dhe t’i lutemi Zotit bashkë që Qeveria Kurti të dialogojë. Pa të ofruar asnjë zgjidhje dhe vetëm kërcënime, e kanë të kot sepse ne jemi në rrugën e Zotit. Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër. Greva do të përfundojë kur të thoni ju, kur Qeveria t’i zgjidh kërkesat tona. Greva do të përfundojë ashtu siç është shpallur, përmes mediave. Greva ka me përfundu, por dikush në fund ka me u turpëru. E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati, i cili po përdor kërcënime të ulëta. Nëse dorëzohemi, këta nuk kanë me dit me u ndal me veprime të tjera”, shtoi ai.
Greva në institucionet arsimore po mbahet në pothuajse të gjitha shkollat e vendit sot, pavarësisht thirrjeve të Qeverisë ndaj mësimdhënësve për të mos respektuar vendimin e SBASHK-ut.
Kurse, kryetari i Këshillit Grevist, Reshit Kushaj, ka thënë se të gjitha shkollat janë në greva sot kur do të duhej të niste procesi mësimor. Ai tha se të gjithë janë informuar, përfshirë prindërit, që greva është duke vazhduar dhe nuk ka mësim.
“Të gjithë më informojnë se janë në grevë dhe kjo na bën të kuptojë që të mos kemi thashetheme se dikush është në shkollë. Kemi aty këtu nxënës, numër të vogël që kanë shkuar në shkolla dhe qetësisht janë kthyer në shtëpitë e tyre. Të gjithë janë të informuar se mësimi nuk po mbahet dhe greva vazhdon”, tha Kushaj.