Gjermania është e gatshme të bëhet lider në sigurinë evropiane dhe duhet të bëhet “forca e armatosur më e pajisur” në Evropë, tha të premten kancelari Olaf Scholz.
“Si kombi më i populluar me fuqinë më të madhe ekonomike dhe një vend në qendër të kontinentit, ushtria jonë duhet të bëhet gur themeli i mbrojtjes konvencionale në Evropë, forca më e pajisur,” – tha Scholz në një fjalim para personelit të lartë të Bundeswehr-i.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka qenë një pikë kthese për politikën gjermane të mbrojtjes, ku vendi krijoi një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar forcat e saj të armatosura.
Ai tha se një ministër i mëparshëm i mbrojtjes kishte besuar gabimisht se Gjermania ishte e rrethuar nga miq.
Scholz u kërkoi gjithashtu vendeve evropiane të marrin më shumë përgjegjësi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
“Ne evropianët duhet të marrim shumë më shumë përgjegjësi në NATO. Fakti që Finlanda dhe Suedia, dy vende evropiane me ushtri moderne dhe të afta, së shpejti do t’i bashkohen NATO-s është shumë i mirëpritur.”
Kancelari gjerman ishte kritikuar se ishte i ngadaltë në dërgimin e mbështetjes ushtarake në Ukrainë, por që atëherë ka rritur mbështetjen e vendit.