Së shpejti çdo familje në Serbi do t’i ketë borxh Kinës nga 6.000 euro

Serbia vitet e fundit ka marrë gjithnjë e më shumë kredi nga Kina dhe borxhi i fundit kap vlerën e 1.9 miliardë eurove. Disa ekspertë paralajmërojnë se brenda pak vitesh, një familje mesatare në Serbi do t’u detyrohet kinezëve më shumë se 6.000 euro. Si problem i veçantë i këtyre kredive, ekspertët theksojnë se ato realizohen në bazë të marrëveshjeve ndërshtetërore që nuk kërkojnë procedura transparente në përzgjedhjen e kontraktorëve, shpenzimet dhe kontrollin e projekteve dhe si rrjedhojë ekziston një dyshim më i madh për korrupsion.

Dushan Nikeziq, kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat e Partisë serbe për Liri dhe Drejtësi (PLD), thekson se Serbia ka marrë më së shumti hua nga Kina për vite me radhë dhe thekson se një familje mesatare serbe brenda disa vjetëve do t’u detyrohet kinezëve 6.250 euro.

Nikeziq ka thënë për portalin serb Nova.rs se Serbia ka kontraktuar me Kinën më shumë se 20 projekte me vlerë 15 miliardë euro.

Duke folur për huamarrjen e fundit nga kinezët, Nikeziq përkujton se qeveria aktuale vetëm dje e ka futur Serbinë në borxh, vetëm për një ditë, për 1.9 miliardë euro të pabesueshme dhe çdo familje në Serbi për gati 1.000 euro.

“Për më pak se dhjetë vjet, ata e kanë futur në borxh vendin për më shumë se 15 miliardë euro, më shumë se të gjitha qeveritë e mëparshme së bashku, dhe me borxhin e ri për projektet për të cilat paraprakisht janë marrë vesh duke anashkaluar tenderët, borxhi publik i Serbisë do të kalojë 50 miliardë euro”, ka thënë Nikeziq.

Do të na duhen 1.4 miliardë euro në vit për t’i servisuar këto kredi, paralajmëron Nikeziq, duke shtuar se kjo praktikisht do të thotë se më 1 janar çdo familje fillimisht do të paguajë 600 euro për borxhin kinez dhe vetëm më pas do të bëjë plane për Krishtlindjet serbe dhe festat e tjera.

Nikeziq vlerëson se më e keqja këtu është se ekspertët serbë janë përjashtuar nga të gjitha këto punë, prej projektuesve, inxhinierëve, prodhuesve të pajisjeve dhe lëndëve të para, deri te kontraktorët dhe instaluesit.

“Gjithçka bëhet nga kinezët dhe ekspertët dhe ndërtuesit serbë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kërkojnë punë në botë”, tha Nikeziq.

Huamarrja direkte nga vendet e tjera ka prapavijë politike dhe gjeostrategjike

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Beograd, Dejan Shoshkiq, ka deklaruar për Nova.rs se kurrë nuk është mirë që një vend të marrë hua direkt nga një vend tjetër, sepse ai gjithmonë mund të ketë një prapavijë, politike ose gjeostrategjike dhe se nëse një huamarrja e tillë ndodh, është e nevojshme që një borxh i tillë të mbahet sa më i ulët që të jetë e mundur.

“Sot, me një numër institucionesh financiare ndërkombëtare që japin kredi me kushte preferenciale dhe me shumë para në tregun ndërkombëtar, të gatshëm për t’u investuar në bono të emetuara nga vendet (eurobono), veprime të tilla thjesht nuk kanë kuptim”, thotë Shoshkiq dhe shton:

“Kjo sidomos nëse ato kanë të bëjnë me punësimin e kontraktorëve nga vendi i kreditorit, sepse vetëm ai fakt mund ta rrisë ndjeshëm një kredi të tillë, sepse nuk ka garanci që çmimet që do të ofronin kontraktorët e tillë janë më të mira se ato që ofrojnë kontraktorët nga vende të tjera, duke përfshirë vendin tonë”.

E gjithë kjo sjellë në përfundim se aranzhimet e tilla financiare nuk duhet të jenë të pranishme, nëse vendi dëshiron të marrë parasysh interesat e tij politike dhe financiare, gjegjësisht interesat e taksapaguesve të tij, ka thënë Soshkiq.

Problemi i kredive ndërshtetërore dhe frika nga korrupsioni

Dushan Nikeziq paralajmëron se problem i veçantë është fakti se të gjitha këto borxhe janë të pafavorshme për Serbinë, sepse realizohen në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, e cila nënkupton pranimin e normave të pafavorshme të interesit dhe detyrimin për të punësuar kontraktorët kinezë pa tenderë dhe me çmime të fryra dhe pajisje kineze.

Prandaj na ndodh që projekti kinez i një rruge të shpejtë në luginën e lumit Kolubara të na kushtojë 8.7 milionë euro për kilometër, që është dy herë më shumë se çmimi i autostradës Zagreb-Split përmes maleve Dinara, apo që kinezët në Kroaci për ndërtimin e hekurudhës Zagreb- Karllovc të ofrojnë një çmim prej 3.8 milionë euro për kilometër, ndërsa në Serbi, jashtë tenderit, të njëjtët kinezë po ndërtojnë hekurudhën Beograd-Suboticë me një çmim prej 9.25 milionë euro për kilometër, apo që shpenzimet e ndërtimit të metrosë së Beogradit të rritet prej 2.2 miliardë në mbi 6 miliardë euro”, ka thënë Nikeziq.

Profesori Shoshkiq thekson se kreditë ndërshtetërore, si rregull, nuk kërkojnë procedura transparente për zgjedhjen e punë kryerësve, për shpenzimin e fondeve dhe kontrollin e projekteve.

Në kushte të tilla, frika nga korrupsioni është sigurisht më e lartë dhe plotësisht e arsyetuar sepse bëhet shumë më e lehtë të bësh biznes dhe për shkak të korrupsionit të paguash më shumë, d.m.th. që shpenzimet të jenë më të larta ndërsa cilësia më e ulët dhe të gjitha këto në fund duhet ta paguajnë qytetarët, thekson profesori i Fakultetit Ekonomik.

“Hetimet ndërkombëtare për korrupsion tregojnë se korrupsioni shumë shpesh ndryshon strukturën e shpenzimeve shtetërore në drejtim të projekteve, vlera reale e të cilave është vështirë të vlerësohet dhe ku korrupsioni ndodh më lehtë, si infrastruktura, armët, ndërtimet kapitale e të ngjashme, ndërkohë që redukton shpenzimet për pagat në arsim, shëndetësi dhe shkencë, ku korrupsioni është vështirë të zbatohet”, thotë Shoshkiq dhe shton:

“Shumë vende në zhvillim, të cilat kanë institucione të dobëta dhe korrupsion në shpenzimin e fondeve publike, kanë mbetur me nivele të larta të borxhit publik të cilin e paguajnë qytetarët përmes tatimeve, e për këtë kanë fituar objekte të papërshtatshme, shpesh megalomane, që u shërbejnë vetëm elitave në pushtet si mekanizëm i korrupsionit”.

Nëse jetoni në një vend i cili është renditur shumë keq sipas organizatave ndërkombëtare që monitorojnë korrupsionin dhe pastrimin e parave, çdo shpenzim i parave të taksapaguesve duhet përcjellë me një vëmendje të veçantë, përfundon Shoshkiq.

Të përkujtojmë, deputetët e Kuvendit të Serbisë kanë miratuar dje, më 5 shkurt, një huazim të ri, vetëm dy muaj para zgjedhjeve, në vlerë prej gati 2 miliardë eurosh. Ajo që është problematike është fakti se Serbia merr kredi nga bankat kineze, pavarësisht se ato janë më të shtrenjta, pra më pak të favorshme.