Sekretari britanik i mbrojtjes tha të martën se ka njoftime se forcat speciale ukrainase shkatërruan mbi 20 helikopterë rusë në terren gjatë natës. Sekretari Ben Wallace e bëri këtë pohim në një intervistë ndërsa forcat ruse vazhdojnë të përballen me probleme logjistike dhe rezistencë të ashpër në Ukrainë.
Sekretari Wallace tha se forcat ruse po bien gjithnjë e më shumë në dëshpërim përballë pengesave ushtarake dhe mangësive në furnizime.
“Ndoshta viktimat më të mëdha deri tani në luftë, janë ushtarët rusë të cilët janë zhgënjyer nga udhëheqës të tmerrshëm dhe plane lufte jashtëzakonisht të këqija. Dhe tani ata po humbasin jetë të shumta”, tha zoti Wallace në një intervistë për televizionin Sky.
Ai tha gjithashtu se procesi i dhënies së vizave për refugjatët ukrainas për të qëndruar në Britani, duhet të jetë më i shpejtë.
“Sekretarja e brendshme është e vendosur ta përshpejtojë procesin. Unë do t’i jap të gjithë mbështetjen që mundem për t’u siguruar që të bëhet sa më shpejt,” tha Sekretari Wallace.
Opozita në Britani ka kritikuar trajtimin e refugjatëve ukrainas në vend. Edhe jashtë vendit, Franca ka njoftuar se qindra refugjatë janë kthyer mbrapsht në portin anglez Calais nga autoritetet britanike.
Zoti Wallace tha në intervistë se detajet e rritjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën do të jepen në parlament të mërkurën.
Përparimi i forcave ruse drejt kryeqytetit ukrainas Kiev, vazhdon të përballet me rezistencë nga forcat ukrainase rreth qyteteve Hostomel, Bucha, Vorzel dhe Irpin, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një njoftim me informacionet e zbulimit të lëshuar të hënën vonë.
Përveç kësaj, një autokolonë e gjatë ruse mbetet e bllokuar në rrugë në veri të Kievit.