Duke kërkuar përmbajtje nga mediat në Kosovë nga intensifikimi i tensioneve në veri, në kohë krize, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq se po tentojnë të nxisin tensione për interesa të tyre.
“Duket qartë që disa politikanë, duke nisur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e përdorin krizën me koronavirus për të nxitur tensione politike e sociale në interes të tyre. Ftojmë gazetarët të mos hyjnë në këtë lojë dhe të veprojnë në interes të publikut”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutierrez.
Në një reagim të EFJ-së thuhet se “karantina në qytetin e Mitrovicës Veriore ka rezultuar në mbulim të papërshtatshëm dhe joetik nga mediat”.
Aty përmenden “deklarimet dhe pyetjet provokative nga një gazetare e RTK-së gjatë raportimit direkt nga Mitrovica e Veriut të shtunën e që nxitën një valë reagimesh në Kosovë” dhe “portali “Sinjali”, pronë e avokatit Besnik Berisha (këshilltar politik i ish-kryeministrit), që krijoi polemika duke publikuar emrat, adresat dhe datat e lindjes së 210 qytetarëve, shumicë serbë dhe romë, që ishin në karantinën në Mitrovicën e Veriut dhe qytete tjera. Pas reagimeve nga publiku dhe Asociacioni i Gazetarëve Serbë në Kosovë, “Sinjali” mbuloi informatat personale të këtyre qytetarëve”.
Misioni i OSCE-së në Kosovë ka kërkuar nga mediat të respektojnë privatësinë e pacientëve dhe në asnjë mënyrë të mos zbulojnë identitetet e të prekurve.
Të enjten dy komunat në veri, Mitrovica e Veriut dhe ajo e Zveçanit, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna. Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit duke mos lejuar qytetarët të dilnin në pjesën veriore. Teksa Qeveria e Kosovës thoshte se gjithçka është nën kontroll dhe çdo veprim është në koordinim me institucionet përgjegjëse, presidenti Hashim Thaçi e cilësoi të papranueshme këtë situatë dhe tha se po bëhet për shkak të neglizhencës së Qeverisë në detyrë.