Seksi problem: Pse s’e thirri për iftar Shefqet Krasniqi deputeten Duda Balje?

Shkruan: Vullnet Krasniqi

Aty i kishte të gjithë kolegët e mendësisë së saj. Bile edhe Mërgim Lushtaku i PDK-së me të cilin tash si opozitë nuk ish dasht me qenë shumë dost, por që falë mendësisë së njejtë për Kodin Civil, ku të dy pajtoheni se kush duhet me kë të martohet edhe e keni dost. Aty ishte edhe Bekë Berisha, me të cilin nuk iu lidh gjë, pos homofobisë dhe seksizmit të pastër.

Por ti mungove? Duda Balje, juve nuk iu erdhi asnjë ftesë për atë iftar. Përkundër faktit se u shndërrove në një heroinë të islamit politik; nuk u ftove në iftar tek hoxha kryesor në Kosovë që përçon islamin politik. Nuk u ftove për një fakt tepër të thjeshtë që ju nuk e keni vendos. Jeni grua. Pra ju mund të mundoheni çdo ditë si deputete që të mos dilni kundër fesë, siç e ke shkruar vet, por feja jote është kundër teje. Ju sipas fesë jeni njeri i kategorisë më të ulët se burrat.

Mund të jesh një grua, deputete e cila ke rënë pre e seksizmit ndaj teje duke të shikuar vetëm si objekt seksual, dhe mund të arrish të marrësh mijëra vota, të dalësh kundër Kushtetutës dhe atyre votave në emër të fesë, dhe feja sërish nuk të pranon. Gramos Agusholli, Emani e Beka, jane më të fuqishëm se sa ju, Më të rëndësishëm se sa ju edhe për iftar. Sipas fesë tënde.

“Unë si deputete nuk mund të dalë kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk perketë me kulturen, traditen në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”

Mund t’i shkruash edhe 200 mijë këso statuse, mund të dhurosh qindra vota kundër çdo gjëje të cilën e ndalon feja jote, por përsëri ajo ty nuk të pranon para burrit. Burrat sipas fesë kanë gjithmonë përparësi. Andaj edhe Shefqet Krasniqi, hoxha juaj, kur kujdeset që në një tavolinë t’i vendosë të gjithë deputetët të cilët e kanë ruajtur fenë dhe kanë votuar kundër degjenerimit, juve nuk iu bëri hesap.

Ndoshta tash pasi u bë shumë e madhe në media, Shefqet Krasniqi edhe do të tregojë pak mëshirë dhe dashamirësi për gratë, duke jua shtruar një iftar. Por iftari kryesor që ai e ka shtruar me listën e tij të preferuar, nuk është për ty. Për faktin e thjeshtë: je grua.

Tash unë mund të vazhdoj pa pushim të përmendi të tjera kontradikta mes fesë dhe realitetit, mes kushtetutës të cilën ju duhet ta mbroni dhe Kuranit që është thjesht një libër besimi, por nuk mund ta ndryshojë asnjëherë faktin se jeni njeri i seksit femër, dhe si e tillë, ti je e klasit të dytë në fenë tënde. Sipas fesë tënde, Zoti a.k.a Allahu e ka vendosur qysh në lindjen tënde, fatin tënd në këtë botë. Andaj ti je vetëm rob, dhe ke të drejta vetëm atëherë kur t’i jep burri.

Andaj para se të bësh iftar, dhe para se të shkosh tjetër herë në Kuvend, dhe ke në dorë të votosh të drejtën e dikujt për të ndarë jetën me dikë tjetër, mos u thirr në fe si diçka që ju duhet ta respketoni. Sepse feja nuk ju respekton juve. Të bëftë mirë iftari.