Sekuestrimet e OFL në Durrës, Drejtoria e Transportit Rrugor hallkë kryesore e procesit

Qarku i Durrësit është një ndër qarqet ku operacioni forca e ligjit, OFL ka sekuestruar numrin më të madh të mjeteve. Këto mjete dyshohen se janë të blera nëpërmjet të ardhurave nga aktiviteti kriminal i personave që janë subjekt i ligjit të OFL.

Por sekuestrimi i mjeteve është vetëm pjesa e dukshme e një procesi të gjatë verifikimi dhe bashkëpunimi. Një ndër hallkat kryesore të këtij bashkëpunimi është edhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës.

Është pikërisht kjo drejtori ajo që jep të dhënat e para mbi mjetet që regjistrohen në qarkun e Durrësit, ashtu sikurse verifikimi nga kjo drejtori është një ndër hallkat kryesore të identifikimit të mjeteve dhe pronarëve të tyre.

“Institucioni jonë ka pasur bashkëpunime të shumta me institucionet ligjzbatuese. Bashkëpunimi ka qenë konkret, me finalizimin e aksioneve të ndryshme”, thotë për A2 Kreshnik Ternova, drejtori i DRSHTRR/Durrës.

Shumica e mjeteve të sekuestruara nga OFL në qarkun e Durrësit, ku përfshihen edhe bashkitë e Krujës dhe Fushë Krujës, kanë qenë mjete të blinduara.