Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët është shprehur se është i mundshëm një bashkim i forcave politike shqiptare në Maqedoni të Veriut. Sipas tij, ai që fiton në zgjedhje duhet të marrë të drejtën të flasë në emër të shqiptarëve, e të tjerët duhet të mos provojnë ta rivalizojnë, por të bashkohen për të ecur bashkë.
Në Deskun e KOHËS, Sela ka thënë se është tejet e rëndësishme të ketë ura komunikimi mes faktorëve politikë shqiptarë.
“Shqiptarët bëhen bashkë në ditën e zgjedhjeve, gjithsecili duke përkrahur opsionin politik që ai mendon. Ata që duhet të bëhen bashkë në qëndrime e strategji janë partitë politike shqiptare që shqiptarët i zgjedhin. Kemi qenë ideatorë të tryezës së përbashkët të partive. Më 2016 kam folur për këtë instrument politik që duhet ta vendosim. U kurorëzua me nënshkrime. Fatkeqësisht e minoi BDI-ja, Ali Ahmeti këtë tryezë. Shumë thonë se ka vdekur kjo tryezë, por jo. Është e rëndësishme të ketë ura komunikimi mes faktorëve politikë shqiptarë”, është shprehur ai.
“Duhet ta ndalim lojën e Gruevskit që e bënte dhe tentativën e Zaevit që të mbajnë një parti shqiptare brenda e tjetrën te dera e Qeverisë, nën shantazhin që nëse s’është i dëgjueshëm. Humbin votuesit shqiptarë. Këtë duhet ta bëjmë marrëveshje menjëherë pas zgjedhjeve e të mos vrapojmë për të kërkuar partnerin për të qeverisur maqedonas, por duhet të kërkojmë të takohemi dhe të ulemi e të hartojmë strategji e kushteve qeverisëse e të mos i konkurrojmë njëri-tjetrit, jo si parti politike. Kështu lloj bashkimi është i shëndoshë. Është i mundshëm, po pse jo. Ai që fiton e merr të drejtën të flasë në emër të shqiptarëve. Disa herë kam thënë, dua apo s’dua unë, në emër të shqiptarëve fjalën deri tani e ka pas Ali Ahmeti sepse ka marrë shumicën e votave. Pas 15 korrikut do ta humbë këtë të drejtë e duhet t’i bindet verdiktit me votë të shqiptarëve, jo vetëm ai, por çdo kryetar partie që do të përfaqësohet në Kuvend. Flasin shqiptarët me votë, dhe unë duhet ta respektoj vullnetin e tyre. Fillimisht duhet të konstatojmë listën e gjërave që t’i ecim përpara e t’iu qëndrojmë. Mos t’i konkurrojmë njëri-tjetrit. Vetëm kështu mendoj se mund të ecim me hapa gjigantë drejt barazisë e ndërprerjes së eksploatimit”, ka vazhduar Sela.