Qindra oficerë serbë janë dërguar të shtunën në një zonë kufitare me Hungarinë, pas arrestimit të disa personave nën dyshimin për të shtëna mes emigrantëve, ku mbetën të vrarë tre persona dhe një tjetër u plagos, raportoi të dielën AP-ja.
Raportimet për dhunë dhe përleshje me armë janë bërë të zakonshme pranë kufirit midis Serbisë dhe vendit anëtar të Bashkimit Evropian, Hungarisë.
Ministri i Brendshëm serb, Bratislav Gashiq, i cili vizitoi zonën, u zotua se “nuk do të lëvizin nga aty derisa të largohen personat përgjegjës për aktet apo incidentet kriminale”.
“Veprimet e policisë kanë për qëllim frenimin e migrimit të parregullt dhe rritjen e nivelit të sigurisë në këtë pjesë të vendit, ku përplasjet mes emigrantëve janë të shpeshta, jo rrallë me përdorimin e armëve të zjarrit”, ka thënë MPB-ja serbe në një deklaratë.
Policia ka thënë se të shtunën ka arrestuar dy persona nga Kosova, të cilët dyshohen për kontrabandë me emigrantë dhe furnizim me armë.
Një ditë më parë, të premten, janë arrestuar katër shtetas afganë dhe dy turq të dyshuar për posedim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve.
Përplasja e dyshuar mes grupeve të emigrantëve ka ndodhur në magazina të braktisura bujqësore pranë fshatit Horgos. Policia ka thënë se migranti i plagosur ka marrë ndihmë mjekësore dhe një hetim është duke vazhduar për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Shtetësia e viktimave dhe emigrantit të plagosur, si dhe detaje të tjera, mbeten ende të paqarta.
Zona kufitare Serbi-Hungari shtrihet në të ashtuquajturën rrugë tokësore ballkanike të migrimit drejt Evropës Perëndimore.