Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë të premten se derisa Serbia vazhdon që ta refuzojë publikisht njohjen e Kosovës, ekziston logjika që edhe Kosova të mos ia përmbushë dëshirën Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këtë Serwer e ka thënë gjatë një interviste për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, me ç’rast ka komentuar rreth dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian lidhur me çështjen.
“Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë se çfarë lloj asociacioni mund të jetë i pranueshëm me Kushtetutë dhe unë mendoj se ne të gjithë duhet të jemi falënderues për këtë vendim. Mendoj se Qeveria aktuale e Kosovës e ka bërë më se të qartë se nuk do të implementojnë Asociacionin. Kjo natyrisht se është e dëmshme për dialogun, por më duhet ta pranoj se nëse Serbia e ka bërë absolutisht të qartë se nuk do ta njohë Kosovën, atëherë ekziston logjika edhe prej anës kosovare që të mbajë qëndrimin e saj për temën e Asociacionit. Kjo nismë është ajo që Serbia e do më së shumti dhe njohja është ajo që Kosova e do më së shumti, dhe është më se e logjikshme që në negociata, nëse njëra palë nuk është e gatshme t’i japë palës tjetër atë që do, atëherë edhe pala tjetër ka të drejtën të zgjedhë se çfarë nuk merr pala e kundërt nga marrëveshja”, ka thënë ai.
Sipas Serwerit, as njohja dhe as Asociacioni nuk janë të mundur para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm në Serbi.
“Presidenti (serb, Aleksandar) Vuçiq e ka bërë shumë të qartë se nuk do të bëjë asnjë lëvizje madhore drejt Kosovës para këtyre zgjedhjeve. Natyrisht që ai mund ta bëjë këtë dhe të ndiejë shumë pak frikë se çfarë do të ndodhë në zgjedhje, sepse ai e dominon tërësisht skenën politike serbe. Por, shikoni, ai i ka vetitë e tij dhe ka të drejtën e tij, si dhe ka strategjinë e vet elektorale… Ai ka bërë të qartë se nuk do të bëjë asnjë hap të madh, siç është njohja e Kosovës, edhe në qoftë se është thjesht hap që e nënkupton këtë, para këtyre zgjedhjeve vitin tjetër”, ka shtuar Serweri.
Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit për më tepër ka theksuar se SHBA-ja i ka kuptuar gabimet që ka bërë me Bosnjë-Hercegovinën dhe se Kushtetuta e Kosovës nuk i ka përsëritur gabimet që i ka bërë ajo e Bosnjës. Ai ka shtuar se çfarëdo asociacioni njëetnik duhet të jetë i papranueshëm.
“Kurrë nuk do të sugjeroja që çfarëdo Asociacioni i definuar nga një etni të ketë të drejtë vetoje në kryeqytetin e shtetit, në të cilin ai Asociacion është i përfshirë. Është absolutisht e papranueshme në Kosovë, duhet të jetë e papranueshme edhe për Bosnjën dhe është e papranueshme edhe në Ukrainë, ku rusët po e duan një gjë të tillë”, ka vazhduar Serweri.
Presionin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, lidhur me formimin e Asociacionit, Serweri e ka konsideruar si qëndrim të një personi jomiqësor ndaj Kosovës dhe shumë më miqësor ndaj Serbisë.
“Dhe unë nuk mendoj se ju duhet të supozoni se ai përfaqëson pikëpamjet e BE-së. Pikëpamjet e parlamentarëve të BE-së kanë qenë shumë të qarta sa i përket kësaj teme e edhe shtetet anëtare… flas për ato që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, janë mjaft të qarta për këtë, se ato nuk duan asgjë që i ngrin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Por, edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën pikërisht për shkak se disa prej tyre kanë telashet e veta me minoritetet, Spanja me çështjen e Katalonjës, si për shembull, nuk do të donin të shihnin një Asociacion me shumicë serbe që ngrin sovranitetin e Kosovës”, është shprehur Serweri.
Ai ka thënë se nuk beson që do të ketë zgjidhje të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi. Megjithëkëtë, ka thënë se marrëveshjet teknike do të mund të përmirësonin jetesën dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve të të dyja vendeve.
Sipas tij, do të ishte mirë që SHBA-ja të përfshihej në monitorim të implementimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka shtuar se mungesa e zbatueshmërisë është ajo që ka dëmtuar dialogun, ndërsa përfshirjen direkte të SHBA-së në dialog e ka cilësuar pozitive, megjithëse ka shprehur drojën se kjo gjë mund të shpjerë drejt kërkesës që edhe Rusia të përfshihet.
“Do të doja ta shihja Amerikën më të përfshirë, por më të përfshirë specifikisht në një sferë dhe kjo sferë është monitorimi i implementimit të marrëveshjeve, për të cilat palët janë zotuar t’i zbatojnë në dialog. Mendoj se edhe BE-ja e edhe SHBA-ja duhet të formojnë një lloj zyrë sikurse Zyra Civile Ndërkombëtare që bëri monitorimin e implementimin e planit të Ahtisarit pas shpalljes së pavarësisë, ashtu që kjo zyrë të monitorojë marrëveshjet që arrihen në dialog. Mungesa e zbatueshmërisë është ajo që e ka pllakosur dialogun më shumë se gjithçka tjetër dhe bashkëpunimi BE-SHBA për të monitoruar atë do të ishte një hap shumë pozitiv. Përfshirja direkte e SHBA-së në dialog është një gjë pozitive po ashtu, por mendoj se është më pak efektive, për shkak se SHBA-ja është gjithmonë e pranishme në prapaskenë dhe sepse frikësohem se prezenca e SHBA-së në dialog mund të çojë drejt kërkesës për përfshirjen e Rusisë po ashtu në dialog, dhe kjo do të ishte më se e padëshirueshme”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.