Departamenti amerikan i Shtetit e lëshoi këtë deklaratë të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump, Richard Grenellit, ambasadorit Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmerit, lidhur me Kosovën, të enjten:
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë popullit të Kosovës. I lëvdojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të të tjerëve që po punojnë me mund e me rrezik të madh për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, i nxisim udhëheqësit e Kosovës që t’i përmbahen Kushteturës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Jemi të përkushtuar për të punuar me çfarëdo qeverie të formuar përmes procesit kushtetues.
Përveç kësaj, vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës për ta hequr plotësisht taksën. Ne besojmë se taksa po e dëmton popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe po pengon rritjen ekonomike.
Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell kurrë nuk ka parë apo diskutuar një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane për t’i mbështetur marrëveshjet e kohëve të fundit për rivendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum ekonomik. Ne besojmë se ky momentum do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte te njohja e ndërsjellë”.
Deri në një masë, kjo do të mund të quhej përgjigje për analizën “Një marrëveshje e keqe” e Shaun Byrnesit, e postuar këtu në “Peacefare”, dy javë më parë, por njëkohësisht është edhe përpjekje për ta justifikuar politikën jomiqësore të administratës Trump karshi qeverisë së Kosovës, së udhëhequr nga Albin Kurti.
Ta analizojmë në vijim secilin paragraf:
Fraza “qëndron pranë popullit të” flet shumë, pasi që përdoret për ta bërë dallimin midis popullit dhe qeverisë së një shteti të jashtëm. Këtë frazë amerikanët e përdorin për armiqtë si Iranin: Ne i qëndrojmë pranë popullit të Iranit. Ambasada amerikane e kishte lëshuar një deklaratë të pazakontë, duke e mbështetur mbajtjen e votës së mosbesimit që e rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kurti, deklaratë kjo e lëshuar në fillim të javës. Kjo ndodhi me gjithë kundërshtimin evropian ndaj votës së mosbesimit. Esenca është e qartë: Në momentin kur qeveria e Kosovës po përballej me sfidën e COVID-19, administrata e Trumpit vendosi sidoqoftë që ta shtyjë rrëzimin e qeverisë.
Duke e nxitur tërheqjen e plotë të njëanshme të tarifave, shpërfillet parimi themelor i diplomacisë: reciprociteti. Administrata Trump është duke i kërkuar Kosovës që ta përmbushë një kusht të Serbisë, pa asgjë në shkëmbim. Ajo që e ka kërkuar Prishtina është pezullimi i fushatës së çnjohjeve, e ndërmarrë nga Serbia anembanë botës. A është njëmend e tepërt që një shteti që dëshiron që Kosova t’ia blejë mallrat, t’i kërkohet t’i ndalë përpjekjet për t’i bindur shtetet tjera ta sprapsin njohjen e Kosovës? Sido që të jetë, Kurti i hoqi disa prej tarifave njëanshëm dhe shfaqi gatishmëri të shkojë më tej, madje pa sinjalin më të vogël të reciprocitetit nga Serbia. Ku është presioni mbi Serbinë për reciprocitet?
Qëndrimi se Grenelli nuk ka parë kurrë ndonjë plan, nuk është i besueshëm. Disa plane, me origjinë të paqartë, janë publikuar. Presidentët Thaçi dhe Vuçiq i janë referuar diskutimeve për shkëmbim territoresh. Madje edhe nëse SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në to (gjë që ka pak gjasa të ketë ndodhur), inteligjenca amerikane do të kishte raportuar për këto diskutime, përfshirë edhe për hartat e shkëmbyera. Grenelli është ushtrues detyre i Inteligjencës Shtetërore amerikane. Vlen të theksohet se Kosnett dhe Palmer nuk përmenden në këtë mohim, pra se nuk e kanë parë ndonjë plan. Kjo lë të kuptohet se ata e kanë parë.
Ngjashëm si shumë deklarata tjera të qeverisë, edhe kjo na tregon më shumë bazuar në atë që nuk e thotë, sesa në atë që është thënë, ndonëse përfshin një gjë të rëndësishme: fjalinë në fund që i referohet njohjes reciproke. Por, duhet theksuar se edhe aty nuk përmendet një gjë. Nëse shkëmbimi i territoreve nuk është duke u negociuar, atëherë është dashur të shkruajë “njohje reciproke brenda kufijve të tyre ekzistues”, apo “njohje reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial”.