Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë akuzuar Rusinë se ka lëshuar një raketë-si armë, nga një satelit në hapësirë.
Në një deklaratë, kreu i drejtorisë hapësinore në Mbretërinë e Bashkuar tha: “Ne jemi të shqetësuar nga mënyra me të cilën Rusia testoi një nga satelitët e saj duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme”.
Po ashtu në deklaratë thuhej se veprime të tilla “kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës”. Edhe SHBA ka ngritur më herët shqetësime për këtë satelit rus.
Në deklaratën e tij, Harvey Smyth tha po ashtu:
“Veprime të tilla kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës dhe rrezikojnë të shkaktojnë mbeturina që mund të përbëjnë një kërcënim për satelitët dhe sistemet hapësinore nga të cilat varet bota.
Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të shmangë çdo testim të mëtejshëm. Ne gjithashtu i kërkojmë Rusisë të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive me MB dhe partnerët e tjerë për të inkurajuar sjelljen e përgjegjshme në hapësirë.”