SHBA dyfishon të infektuarit, Kalifornia e “kyçur”. Trump sulmon Kinën: Asgjë të ngjashme në histori

“Diçka e tillë nuk është parë në histori”. Janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, që i referohen përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Shtetet e Bashkuara ditën e djeshme kanë dyfishuar të prekurit nga COVID-19, duke arritur në 13.133, me 193 të vdekur.

Masat kundër përhapjes janë gjithmonë e më të forta, me guvernatorin e Kalifornisë, vend që po shndërrohet në vatër epidemie, që deklaroi karantinën për të gjithë popullsinë, rreth 40 milionë banorë. Ndërkohë, niveli i alarmit për fluturimet ndërkombëtare ka arritur nivelin 4, më të lartin, me qeverinë që këshillon amerikanët të mos udhëtojnë gjëkundi, dhe ata jashtë të rikthehen në vendlindje ose të gjejnë një strehim aty ku janë.

Për presidentin Trump, gjithsesi, lajme të mira vijnë nga farmaceutika, ku FDA, institucioni që licenson barnat në SHBA, mund të miratojë përdorimin kundër koronavirusit të dy ilaçeve, klorokinën që normalisht përdoret për malarien dhe Remdesvir, i përdorur kundër virusit Ebola.

Presidenti amerikan edhe dje nuk ka munguar të thumbojë Kinën, duke përsëritur termin “kinez” kur i referohej koronavirusit, dhe duke shtuar se “bota po paguan një çmim të lartë për atë që kanë bërë, Kina ka ngadalësuar shpërndarjen e informacionit”.

Trump foli për një “luftë sanitare që duhet fituar”, ndërkohë që u shpreh i bindur se ekonomia, edhe falë masave prej trilionë dollarësh të parashikuar, do të rimëkëmbet me një skemë “V”, ku zbritja në pikiatë do t’i lërë vendin ngritjes së shpejtë.