SHBA ka përfshirë në listën e zezë katër kompani të huaja në fushën e teknologjisë, mes të cilave dy izraelite. Njëra prej tyre është kompania NSO Group, zhvilluesja e programit të përgjimit “Pegasus”.
Kompanitë janë NSO Group dhe Candiru të Izraelit, Positive Technologies të Rusisë dhe Iniciativa për Sigurinë Kompjuterike të Singaporit PTE, LTD.
Këto kompani tani do të përballen me kufizime të rënda në eksportimin e produkteve të tyre në SHBA dhe do ta bëjë të vështirë për firmat amerikane të sigurisë kibernetike t’u shesin atyre informacione që mund të jenë të dobishme në zhvillimin e produkteve të tyre.
“Kjo përpjekje ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dixhitale të qytetarëve, luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe zbutjen e mbikëqyrjes së paligjshme”, tha Departamenti i Shtetit.
Lexo edhe: Pas presidentit Joe Biden edhe kryeministrin britanik, Boris Johnson, e zë gjumi në konferencën e klimës
Sipas agjencisë Reuters, si kompania NSO Group ashtu edhe Candiru janë akuzuar për shitjen e produkteve të tyre tek regjimet autoritare.
Kompania Positive Technologies ka qenë në pikëpyetje më parë, pasi ishte sanksionuar nga administrata Biden sepse ka ofruar ndihmë për forcat ruse të sigurisë. Asnjë nga kompanitë nuk komentoi për përfshirjen e tyre në listën e zezë.