Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar dhënien e vizave për pesë persona, mes tyre ish-komisionerin evropian Thierry Breton, duke i akuzuar për përpjekje për të ushtruar presion ndaj platformave amerikane të rrjeteve sociale që të kufizojnë përmbajtje dhe pikëpamje të caktuara.
Në një deklaratë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se personat në fjalë kanë “avancuar fushata censurimi nga shtete të huaja”, duke synuar, sipas tij, “folës amerikanë dhe kompani amerikane”.
Rubio i cilësoi ata si “aktivistë radikalë dhe OJQ të politizuara” që kanë kërkuar të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë platformat digjitale në SHBA.
Thierry Breton, ish-komisioneri i Bashkimit Evropian për tregun e brendshëm dhe teknologjinë, reagoi menjëherë duke e quajtur vendimin një “gjueti shtrigash”.
Në një postim në platformën X, ai shkroi: “Për miqtë tanë amerikanë: censura nuk është aty ku mendoni se është.”
Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi Breton si “arkitektin” e Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), ligji i BE-së që vendos detyrime të rrepta për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale.
Ky ligj ka ngjallur kritika të forta në SHBA, veçanërisht nga qarqe konservatore, të cilat pretendojnë se ai synon të censurojë zërat e djathtë. Komisioni Evropian i ka hedhur poshtë këto akuza.
Breton ka qenë në përplasje të vazhdueshme me Elon Musk, pronarin e platformës X, lidhur me detyrimin për të respektuar rregullat e BE-së. Së fundmi, Komisioni Evropian gjobiti X me 120 milionë euro, duke argumentuar se sistemi i verifikimit me “blue tick” ishte i gënjeshtërt, pasi përdoruesit nuk verifikoheshin realisht.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…