Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan ka deklaruar se konflikti në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës rrezikon të zgjerohet.
Sullivan ka bërë të ditur se SHBA sheh një rrezik në rritje të këtij konflikti teksa Irani mund të shënjestrojë trupat amerikane të stacionuara në rajon.
“Ne jemi vigjilentë, sepse po shohim kërcënime të ngritura kundër forcave tona në të gjithë rajonin dhe një rrezik të lartë të përhapjes së këtij konflikti në pjesë të tjera të rajonit. Ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta penguar dhe parandaluar atë”, u shpreh këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan në CBS.
Javën e kaluar, SHBA kreu sulme ajrore duke synuar dy objekte të lidhura me milicitë e mbështetur nga Irani në Sirinë lindore pas një serie sulmesh me dron dhe raketa kundër forcave amerikane në rajon.
Sulmet ajrore kundër objekteve të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura me to nuk rezultuan me viktima.
I pyetur për sulmet e SHBA-së ndaj përfaqësuesve iranianë në rajon, Sullivan tha për ABC: “Nëse sulmet vazhdojnë, ne do të përgjigjemi dhe mendoj se iranianët e kuptojnë mesazhin tonë”.
“Ne, sigurisht, po marrim çdo masë të nevojshme për të mbrojtur forcat tona, për të rritur vigjilencën tonë dhe për të punuar me vendet e tjera në rajon për të mos lejuar që ky konflikt që është aktualisht në Izrael dhe Gaza të kthehet në një konflikt rajonal. Por rreziku është real, dhe për këtë arsye, vigjilenca është e lartë dhe hapat që ne po ndërmarrim për ta penguar dhe parandaluar atë janë serioze, sistematike dhe të vazhdueshme”, ka theksuar më tej Sullivan.