Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha sot se fushata e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë është “ngecur”, prandaj ai ka përdorur sulme “të neveritshme” kundër civilëve atje.
“Ne kemi parë shënjestrim të qëllimshëm të qyteteve dhe qytezave dhe civilëve gjatë javëve të fundit“, tha Austin për “Face the Nation” të CBS.
“Dhe përsëri, besoj se ai po ndërmerr këto lloj hapash sepse siç u përshkrua më herët, fushata e tij ka ngecur. Ai nuk ka qenë në gjendje t’i arrijë qëllimet aq shpejt sa dëshiron t’i arrijë ato. Dhe kështu, ai po përdor llojet e taktikave që ne i shohim të ekspozuara çdo ditë. Dhe përsëri, kjo është vërtet e neveritshme”, vazhdoi tutje sekretari amerikan.
Austin shtoi më vonë se “forcat e manovrimit në tokë janë në thelb të ngecura“.
Megjithatë, Austin tha se nuk duket ende të ketë prova që mercenarë ose luftëtarë të huaj janë paraqitur në Ukrainë për të ndihmuar Rusinë. “Ne nuk kemi parë mercenarë të shfaqen në fushën e betejës, me sa di unë“, tha ai.
I pyetur në lidhje me pretendimin e Rusisë se ka lëshuar raketa hipersonike kundër Ukrainës, Austin tha se ai nuk beson se përdorimi i raketave të tilla nga Rusia do të ishte një “ndryshues i lojës”, megjithëse ai paralajmëroi se “nuk mund të konfirmojë ose kundërshtojë”.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan për CNN të shtunën se Rusia kishte përdorur raketa hipersonike në luftën e saj kundër Ukrainës.
Austin tha gjithashtu se nëse Putin do të përdorte armë kimike ose biologjike kundër Ukrainës, “ai do të shihte një reagim të rëndësishëm jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga komuniteti global”.