Shefi i kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, i ka reaguar përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili referuar zhvillimeve të sotme në veri, ka reaguar duke thënë se “incidentet duhet të ndalen menjëherë.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkurar Borrell në Twitter.
Në postimin e tij i ka replikuar Dalipi, i cili ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë kishte në shënjestër krimin dhe kontrabandën në disa komuna të Kosovës, njëra nga të cilat ishte edhe ajo e Mitrovicës së Veriut.
“Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës kishte në shënjestër vetëm krimin dhe kontrabandën në katër komuna kosovare, njëra prej të cilave qëlloi të jetë në pjesën veriore të Kosovës (ku pak kriminelë nxitën dhunën)”, shkroi Dalipi në replikën e tij.
Në një replikë tjetër ai shkroi se “prokurori që autorizoi aksionin është serb, gjyqtari është serb dhe shumica e policëve në komunën e Mitrovicës Veriore janë serbë.
Andaj ai ka shkruar se krimi dhe kontrabanda nuk kanë përkatësi etnike dhe asnjë zyrtar i lartë i BE-së nuk duhet të përpiqet që ta paraqesë këtë si problem etnik.
“Pra, askush, dhe veçanërisht asnjë zyrtar i nivelit të lartë të BE-së, nuk duhet të përpiqet ta bëjë këtë një problem politik ose etnik, dhe koordinimi dypalësh nuk është i rëndësishëm në këtë rast, sepse ndalimi i krimit dhe kontrabandës është një kompetencë tipike e një vend sovran”, shkruan ai.