POLITIKE

Shkaku i masave, KE-ja nuk shqyrtoi projektet, Kosova lihet jashtë pakos financiare 2.3-miliardëshe

Kosova ka mbetur përkohësisht jashtë fondeve të Bashkimit Evropian që parasheh për Ballkanin Perëndimor. Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, sipas njohësve të integrimeve evropiane, mund të ashpërsohen, nëse Kosova nuk gjen një shteg të përbashkët me BE-në.
14 investime të reja në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh do të mbështeteshin nga Komisioni Evropian në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Por, nga kjo pako e re financiare e miratuar tri ditë më parë, për momentin nuk do të përfitojë Kosova, e cila më 28 qershor është njoftuar për masa ndëshkues ndaj saj, pas situatës së tensionuar në veri.

BE-ja e ka njoftuar ekzekutivin se propozimet e paraqitura në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF-së më 29-30 qershor.

Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, thotë se këto masa janë të buta, të cilat nuk shkaktojnë efekte të pariparueshme.

Por, ai paralajmëron se nëse Kosova nuk merr hapa për shtensionim të situatës, BE-ja mund t’i ashpërsojë masat.

“Në hapin e radhës mund të shohim anulime të fondeve në mënyrë të pakthyeshme. Derisa këto fonde sot janë të kthyeshme, nëse Kosova dhe BE-ja nuk gjejnë shteg të përbashkët sa i përket dialogut, atëherë këto fonde do të anulohen. E dyta, BE-ja mund të konsiderojë pezullimin apo përjashtimin e Kosovës nga pjesëmarrja në atë që quhen programe, pra jashtë fondeve të IPA-s janë programet e BE-së, ku Kosova merr pjesë në 5 programe të BE-së. E treta që mund të konsiderojë Bashkimi Evropian është që të pezullojë pjesë të caktuara të MSA-së”, tha Shasha.

Bashkimi Evropian ka pezulluar përkohësisht edhe punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë.

Edhe programi i fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 është vënë në pritje.

Opozita i ka konsideruar shqetësuese masat e BE-së ndaj Kosovës.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se zgjidhje për këtë situatë është rrëzimi i Qeverisë.

“Qeveria Kurti, mazhoranca që drejtohet nga LVV tashmë për agjendën tonë evropiane, integruese përveç që nuk flitet për progres, mirëpo kemi hyrë në një shkallë shumë të rrezikshme të zhvillimeve me Bashkimin Evropian. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhmen tonë euroatlantike. Masa të tilla e dëmtojnë rëndë raportin tonë me secilin shtet veç e veç me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Tahiri.

Por, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila shpreson që masat nuk do të jenë afatgjata.

“Projektet e BE-së e kanë ciklin e tillë që janë prej momentit të miratimit deri te fillimi i realizimit kalon periudha kohore edhe mbi më shumë se 1 apo 2 mandate legjislative apo qeverisëse, varësisht prej mandatit të kuvendit dhe qeverisë. Parimi mbi të cilin janë marrë për ne mbetet dekurajues në kuptimin e sistemit vlerës”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Në BE thonë se masat janë “të përkohshme dhe mund të hiqen”, porse kjo do të varet nga zhvillimet në terren dhe nga veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në funksion të shtensionimit të situatës.

Masa të tilla nuk janë ndërmarrë për Serbinë.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Operacion i madh kundër krimit të organizuar në Kosovë, përfshihen Europol dhe autoritetet e disa shteteve evropiane

Policia e Kosovës, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhëresës së Gjykatës…

11 orë ago
  • BOTA

Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do…

1 ditë ago
  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

1 ditë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

2 ditë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

2 ditë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

2 ditë ago