Shkolla e futbollit në Suharekë shembull për të mirë, organizon festë për ditëlindjen e nxënësit nga komunitetet joshumicë

Trajtimi diskriminues i fëmijëve të komunitetit RAE, gjatë festës së Abetares dje në shkollën “Xhemajl Kada”, në qytetin e Pejës ngjalli reagime të shumta në publik. Por jo të gjitha institucionet e shkollat e vendit veprojnë njësoj, raporton Gazeta Sinjali.

Një shembull për admirim, se si duhet trajtuar nxënësit, pa dallim ka dhënë sot Shkolla e Futbollit në Suharekë.

Sinjali mëson se stafi i shkollës i ka bërë surprizë, me rastin e ditëlindjes, njërit nga lojtarët që i takon komuniteteve joshumicë, duke i organizuar një festë me tortë në mes të fushës së futbollit.

Në ritmin e këngës së Dafina Zeqirit “Happy Birthday”, 11-vjeçari me gëzim të madh shihet teksa frynë qirinjtë e tortës e shokët e tij duartrokasin.

Ndryshe, gjatë ditës së martë, në Pejë, në një shkollë fillore u kremtua Festa e Abetarës. Teksa të gjithë nxënësit luanin e festonin së bashku, dhjetë nxënës të pakicave nuk u lanë të festonin me bashkëmoshatarët e tyre, mirëpo ata u ulën të ndarë.

Ky rast ka nxitur reagime të mëdha, ku edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka bërë të ditur se rasti do të shqyrtohet me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Pejës.