Shkon të tërheqë ndihmën për koronavirusin, gjen 8 milionë dollarë në llogari

Një burrë në Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjeti mbi 8 milionë dollarë në llogarinë e tij bankare, kur shkoi të tërhiqte pagesën prej 1700 dollarësh të akorduar nga shteti për të përballuar vështirësitë ekonomike për shkak të koronavirusit.

Charles Calvin, i cili punon si zjarrfikës vullnetar në Nju Çikago, Indiana, tha për mediat lokale se nuk u besonte syve kur kishte parë shumën marramendëse në llogarinë e tij. “Shkova për të tërhequr vetëm 200 dollarë kur pashë se çfarë kisha në llogari”, tha ai.

Të hënën, ai i telefonoi bankës së tij, të cilët i thanë se paratë ishin tërhequr nga llogaria e tij, pasi ishin hedhur gabimisht aty. “Brenda pak sekondash isha milioner, më pas sërish i varfër”, tha Calvin.