Ndërsa Aleksandar Vuçiç deklaron për marrëdhënie të mira me fqinjët, shkrimtari dhe intelektuali i njohur hebre me banim në Beograd, Filip David, thotë se ekziston një tjetër e vërtetë pas kësaj tabloje.
“Presidenti Vuçiç flet herë pas here për nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore, por bashkëpunëtorët më të afërt tgë tij, tabloidet dhe mediat nën kontrollin e tij, janë diçka tjetër plotësisht. Këtu nuk ka dy të vërteta”, tha Filip David në një intervistë për median boshnjake, duke shtuar: “Presidenti Vuçiç u rrethua me njerëz që ishin shumë të pranishëm në formulimin e politikës së Millosheviçit në fillim të viteve 1990. Nuk është çudi sepse dhe ai vetë mori pjesë në mbështetjen e një politike të tillë”.
Siç paralajmëron ai, ekzitojnë dyshimet se politika serbe po kthehet në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Kjo dëshmohet nga qëndrimi ndaj krimeve të kryera, retorika e mprehtë e ministrit të Mbrojtjes Vulin, Strategjia e re e Mbrojtjes e Serbisë dhe, në përputhje me rrethanat, nga detyrimi që Serbia të mbrojë interesat e popullit serb dhe jashtë Serbisë. Dhe kjo nuk është larg nga historia e ‘të gjithë serbëve në një vend’”, tha David.
Sipas tij, është thënë vazhdimisht me të drejtë se stabiliteti politik dhe ekonomik dhe madje ushtarak në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës, varet në një masë të madhe nga politika serbe.
“Serbia nuk ka marrëdhënie të mira me Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë, Kroacinë, për të mos përmendur Kosovën. Në mendjen e atyre që mbajnë mend pak më gjatë jehonat ogurzeza të fjalëve të famshme të Millosheviçit: ‘Nëse nuk mund të punojmë, mund të luftojmë!’”, paralajmëron Philip David.