Gazetari Armand Shkullaku thotë se Qeveria Hoti është në fakt qeveri e PDK-së, me ndihmën e së cilës do të mund të mbajë pushtetin në rast rreziku.
Për më tepër, Shkullaku thotë se kjo Qeveri nuk do të ishte ekzistente nëse presidenti Hashim Thaçi nuk do të kishte dhënë bekimin e tij.
“Unë shikoj nga të dy kryetarët, nga ai historik dhe ai aktual. Sigurisht është situatë e vështirë politike nga pikëpamja e goditjes që mund të marrë lidershipi i PDK-së pasi këto dy figura në rast të konfirmimit të aktakuzës japin dorëheqje nga pozicionet që kanë. Unë nuk e shikoj si një lloj shpëtimi faktin që në një goditje të mundshme, përfshirja në një qeveri me LDK-në mund ta rimëkëmbte PDK-në”.
“Për të qenë realist duhet thënë se kjo është një qeveri i PDK-së. Kjo është një qeveri e minorancës, jo vetëm etnike, por edhe e minorancës politike. Pra, nuk kemi një koalicion LDK-PDK, VV-PDK, por kemi një sajesë, një arnim që u vunë kushte të caktuara për të rrëzuar një kryeministër që s’u shkonte për shtati jo vetëm drejtuesve të asaj kohe, por edhe liderëve të caktuar politikë”.
“Kjo është një qeveri që pa bekimin e PDK-së nuk do të ndërtohej dot. Prapë edhe pa bekimin e presidentit nuk do të ngrihej dot dhe nuk mbahet dot. Mjafton të ikin dy deputetë dhe qeveria është e rrëzuar. PDK-ja nuk do ta lë këtë qeveri të bie për disa arsye. Do të ishte një skenar nëse presidenti do të jepte dorëheqje në momentin që do të formalizohej aktakuza kundër tij duhet patjetër votat e PDK-së për të zgjedhur presidentin e ri, për të qenë prezent në parlament për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse PDK nuk hyn në sallë në momentin kur zgjedhet presidenti bashkë me Vetëvendosjen dhe për rrjedhojë Qeveria është e rrëzuar dhe shkohet në zgjedhje. Por, unë nuk i besoj këtij skenari. Mendoj që në rastin më të parë që kjo qeveri të rrezikohet, PDK-ja do të jetë aty për ta ndihmuar”.
Shkullaku në Rubikon të Klan Kosovës tha se deri më tani dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka prodhuar asgjë.
“Atëherë kishim dialog teknik. Njohja reciproke nuk është diskutuar dhe kanë qenë tema sekondare që kanë çuar në bllokim të dialogut. Kishte një momentum të dytë kur u mendua që një marrëveshje, që asnjëherë s’e morëm vesh çka ishte, kishte zotime të Thaçit dhe Vuçiqit që mund të shkohet në korrigjime të kufijve”.
Por, gazetari nga Shqipëria e cilëson të gabuar nxitimin për ta përfunduar marrëveshjen me Serbinë – siç deshi emisari i Trumpit, Richard Grenell.
“Asnjë çështje e ndjeshme në Ballkan dhe Europë nuk është zgjidhur pa koordinim të BE-së dhe SHBA-së. Nxitimi për të parë SHBA-në si shpëtim duhet marrë me rezerva. Nga ky përshpejtim kemi lëshuar sovranitetin tonë të jashtëm. Grenell ka dalë publikisht dhe ka thënë hiqni dorë nga kjo dhe ajo. Zhgënjimi nga BE nuk duhet të na çojë në nxitim për të pranuar një proces që deri tani veç po na kushton”.
Derisa thotë se partia e Ramush Haradinajt dhe ajo e Fatmir Limajt janë krejt aksidentalisht në Qeveri, Shkullaku parashikoi se qeveria e re do të jetë PDK-LDK duke thënë se LDK-ja do të shkojë te i zoti i saj – PDK-ja.