Pas mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari u shfaq para mediave e revoltuar.
Sipas saj, “Këshilli Politik është kthyer në tryezë ku diskutohet se çfarë tha Rama apo Basha” dhe “kjo ndodh sepse duan t’i bëjnë bisht diskutimit për sistemin zgjedhor”.
“Kur vjen puna te sistemi zgjedhor, këta i shkelin syrin njëri-tjetrit. Vijnë aty dhe diskutojnë çështje që nuk kanë rëndësi për qytetarët. Unë jam kthyer në Shqipëri për të forcuar lirinë dhe demokracinë, por nuk kam gjetur as liri dhe as demokraci. Unë do ta çoj betejën deri në fund, bashkë me qytetarët. Ose ndryshojmë sistemin, ose do të mbetemi në dorën e këtyre njerëzve që i kanë harruar qytetarët”, tha Hajdari.
Ndërsa Damian Gjiknuri theksoi se “deklaratat politike nuk mund të përdoren si sebep për të ikur nga tavolina e negociatave”.
“Negociatorët nuk kanë pse të jenë nën trysninë e çdo deklarate. Komunikimi është prerë në disa nivele dhe ne kemi detyrë që të përafrojmë palët”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi nënvizoi se opozita jashtëparlamentare nuk do të tërhiqet nga propozimet e saj.
“Kushtet që kemi vendosur mbi tryezë janë aty dhe nuk tërhiqemi nga ato. Në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi Rama që të marrë administratën zgjedhore. Po ashtu, nuk do të ketë mundësi që të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që bën me administratën e kapur. Opozita nuk do të lëshojë, por do t’i shtojë zgjedhjeve garanci të tjera që do ta bëjnë të vështirë manipulimin”, u shpreh Bylykbashi.