Rama-Kosovës: Mos i humbni aleatët, dialog me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për të parën herë mbi situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet dhe përshkallëzimit të situatës me protesta.

Kreu i Qeverisë, ka shpjeguar se po e ndjek me vëmendje të madhe dhe shqetësim të gjithë situatën e acaruar në Kosovë dhe mbi këtë fakt, ai bashkohet plotësisht me qëndrimet e aleatëve strategjikë, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, mbi zhvillimet.

Për më tepër, ai e vuri theksin tek plani franko-gjerman, i publikuar fillimisht në Albanian Post më 18 shtator, i cili sipas kryeministrit duhet zbatuar, duke shtuar vetëpërmbajtjen dhe dialogun mes dy vendeve.

“Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”!”, nënvizoi ai përmes një postimi në Twitter.

Teksa në mbyllje, sërish, ka kërkuar dialog të palodhur mes Kosovës dhe Serbisë, për të mos humbur edhe aleatët në këtë kontekst.

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Masa ‘paraprake’

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kjo, pas tërheqjes së “Listës Serbe” nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.