Shqipëria është ende vendi më i varfër në Evropë. Sipas publikimit më të fundit të Eurostat për vitin 2019, shqiptarët kanë të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë. Të dhënat e Eurostat përgjatë vitit të lënë pas tregojnë së shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares evropiane.
Krahasuar me vitin 2018, vendi nuk ka bërë përparim sa i përket shtimit të të ardhurave për frymë. Shqipëria është edhe më e varfër se Bosnjë-Hercegovina, shtet i cili në vitin 2018 paraqiste nivel të njëjtë me atë shqiptar.
Nga ana tjetër, edhe në treguesin e konsumit individual për frymë, Shqipëria është e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, duke shënuar vetëm 1% përmirësim nga një vit më parë.
Për të dy këta tregues, Luksemburgu është shteti me të ardhurat më të larta për frymë dhe konsum në Bashkimin Evropian. Ndërsa pas Luksemburgut për të ardhurat për frymë në Evropë, vijnë Irlanda, e ndjekur nga Danimarka, Holanda dhe Austria.
Por, kur vjen puna për konsumin, ndryshon renditja pasi në vend të dytë qëndron Gjermania, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Belgjika dhe Holanda, që është në fakt dhe një nga treguesit më real për mirëqenien.