Shqipëria do të marrë të premten, për herë të dytë, presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kur ajo u bë pjesë e këtij forumi, në janar të vitit të shkuar, si anëtare jo e përhershme. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha të enjten se dy aktivitete madhore do të shënojnë presidencën shqiptare.
“Ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”, deklaroi zonja Xhaçka, në një mesazh të posaçëm.
Takimi i Këshillit për këtë temë, i cili parashikohet të zhvillohet më 20 shtator, do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pritet që i pranishëm të jetë dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Çështja e Ukrainës dhe agresionit rus ndaj saj, ka qenë në qendër të aktivitetit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, duke qenë dhe bashkëpenëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara. Kjo “çështje, realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB, Ukrainën e për të dënuar Rusinë”, u shpreh zonja Xhaçka.
Nisma e dytë e Shqipërisë, lidhet me një platformë inovative e cila synon të lehtësojë qasjen e bizneseve apo korporatave të cilat ofrojnë kontributetet e tyre, në rast krizash humanitare kudo në botë, por dhe të garantojë shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të këtyre ndihmave, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.
“Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare, e në anën tjetër do të përmirësojë e do të bëjë më të shpejtë e efikase mënyrën sesi shpërndahen këto ndihma e kontribute, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atje ku ka realisht nevojë”, shpjegoi zonja Xhaçka e cila do të drejtojë seancën e Këshillit të sigurimit për këtë çështje, më 14 shtator.
Presidenca shqiptare e Këshillit të Sigurimit përkon me një periudhë tepër aktive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kur mblidhet dhe asambleja e përgjithshme e saj, me pjesmarrjen e udhëheqësve të shteteve anëtare. Në Asamble, Shqipëria këtë vit pritet të përfaqësohet nga presidenti Bajram Begaj.