Shqiponja dykrenore dhe një kalorës, zbulimet e reja në Kishën e Skënderbeut në Kepin e Rodonit

Një shqiponjë dykrenore, nja kalorës, por edhe plot figura të tjera shenjtorësh kanë dalë në dritë në Kishën e Shna Ndout në Kepin e Rodonit.

Figurat murale u zbuluan gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e objektit të trashëgimisë kulturore.

A2 CNN mësoi se gjatë se punimet konsistuan në konsolidimin e shtresave përgatitore dhe pelikulit piktorik, pastrimin nga mbivëniet me gëlqere dhe llaç, pastrimin nga kripërat si dhe zëvendësimin e bordurimeve dhe stukimeve të vjetra.

Piktura murale e kësaj kishe ishte në fokusin e programit të #EU4Culture gjatë këtij viti për restaurimin e veprave të artit, ndërsa ndërhyrjet u realizuan nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj, raporton A2 CNN. Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK kanë mbikëqyrur nga afër ecurinë e këtyre punimeve.

Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit është monument i trashëgimisë kulturore me një arkitekturë romaniko-gotike e shek. XIV.

Kisha mendohet se është ndërtuar gjatë periudhës mesjetare, nga prijësi shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe është një nga të paktat monumente fetare që kanë mbijetuar në atë zonë.

Shna Ndou, apo Shën Antoni, është një figurë e njohur në besimin e krishterë dhe të gjithë të krishterët në Shqipëri e shohin si një vend të shenjtë. Kisha tërheq ende vizitorë, që e shohin si një simbol të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare dhe një atraksion turistik.