Dubai është një ndër destinacionet turistike më të preferuar. Luksi i shfrenuar që ofron ky vend është kthyer edhe një oaz për yjet e showbizit por edhe për personat të cilët kanë probleme me drejtësinë. Në këtë trend të ri botëror nuk mbeten pas as shqiptarët.
“Nga fillimi i dekadës nga viti 2011-2012 kur në Dubai shpërtheu zhvillimi i turizmit shumë personazhe të showbizit filluan ta frekuentonin për hobi, për ta parë, për të qenë larg kundërshtarëve të tyre pasi ishin të lirshëm”, ka thënë Hoxha.
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk ofrojnë vetëm kaq. Personazhet e njohur të botës së krimit dhe kryessht trafikatët e kokainës zbuluan se ky shtet nuk kishte marreveshje ekstradimi me shumicën e e vendeve. Kjo u zbulua disa vite me vonë. Ndërsa për paratë që shpenzojë atje nuk kërkohej llogari, mjafton që mos të kishe probleme me terrorizmin i cili është një krim që nuk tolerohet në këtë vende me popullsi myslimane.
“Aty panë se po krijohej një destinacion i ri botëror ku mund të bëjë jetë luksi dhe mund të shkoje me para që askush nuk të kërkonte llogari sesi i kishe fituar, me të vetmin kusht që të mos ishe i implikuar në ngjarje kriminale që kishin të bëjnë me terrorizmin dhe të mos bëje aktivitete kriminale brenda Emirateve të Bashkuara. Arrestimet e bërë kohët e fundit e treguan qartazi këtë dhe kush personazhe ishin atje. Këto personazhe dinë dhe një gjë tjetër se ekstradimi nga Emiratete e Bashkuara, nëse kanë investuar atje nuk i ke sjellë probleme shtetit dhe ke një pasaportë të vendeve të BE-së. Ndaj shumë personazhe të botës së krimit që janë kapur atje nuk është bërë ekstradim për në vendin tone”, shprehet ndër të tjera ai.
Tashmë trafikantët e rëndësishëm të drogës kryesisht kokainës, jetojnë në një vend ku shpenzohen shumë para. Trafikantë nga vende të ndryshme të botës filluan të investojnë në Dubai duke blerë prona dhe biznese. Sipas gazetarit Artan Hoxha edhe personazhe te botës së krimit në Shqipëri, kanë investuar dhjetëra milionë euro në këtë vend. Investimet iu kanë krijuar lehtësi për tu pajisur me një leje qëndrimi aty, një mundësi që të jepet nga autoritet e këtij vendi.
Trafikatët shqiptarë që kanë lidhje me kokainën tashmë janë të përqëndruar në Dubai ku ata jetojnë dhe nuk fshihen. Ata kanë disa vite të vendosur atje dhe thuajse nuk levizin nga aty. Siguria është një elemet kryesorë që i mban atje . Duke qenë kaq larg shqipërisë kundërshtarët e tyre dhe grupet rivale e kanë të pamundur ti gjurmojnë dhe akoma më të vështirë për ti eleminuar.
Përqendrimi i bosëve të krimit në Dubai për gazetarin Hoxha mund të sjellë edhe një risi në historinë e krimit shqiptar , bashkëpunim më të ngushtë të tyre. Sipas tij kjo mund të sillte edhe krijimin e kartelit të parë shqiptare duke qenë se ata ndodhen të gjithë bashkë dhe nuk ndjejnë rrezik pasi nuk kanë probleme me ligjin atje. Ndërsa drejtësia shqiptare e ka të pamundur për të ndërhyrë në mënyrë që ti sjellë këtu që të përballen me akuzat që rëndojnë mbi ta.
“Sot kemi bosë të krimit të organizuar që vijnë nga Shqipëria e mesme, Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnje që janë të përqendruar aty dhe janë vendosur aty. Deri më tani jam kurioz të di nëse kanë ndonjë aleancë mes tyre nëse atë që i kanë pasur në Shqipëri i kanë zhvilluar dhe atje. Ato në një vend të sigurt siç janë atje, mund të bëjnë dhe marrëveshje. Ne akoma nuk kemi një kartel të mirëfilltë edhe pse vazhdimisht i janë referuar organizatës “Los Blancos” që një nga drejtuesit kryesor u ndalua në Emiratet e Bashkua por nuk është ndalur, por nëse do të ketë një kartel ai do të vijë nga një kooperim i këtyre organizatave që janë të vendosur bashkë me familjet në Dubai.
Problematika kryesore është se bosët e krimit shqiptarë janë të vendosur atje, bëjnë takime me këngëtare, me politikanë dhe po e drejtojnë aktivitetin kriminal nga Dubai. Ato e drejtojnë një trafik që nis nga Amerika Latine, për në Bashkimin Evropian. Ato nga Dubai bëjnë rekrutimin e anëtareve të rinj nga Shqipëria”, ka thënë gazetari.
Nga Dubai, drejteusit e grupeve drejtojnë trafikun e kokainës i cili nis në Amerikën Latine dhe përfudnon në Europë për tu shitur. Ndërsa në Shqipëri ata pastrojnë paratë dhe forcojnë radhët e grupeve të tyre me anëtarë të rinj.
Por cilët ishin arrestimet konkrete në Emiratet e Bashkuara që nxorrën në pah fenomenin që bosët shqiptarë të krimit fshihen atje. Më 17 shtator të vitit 2020 në Dubai u arrestua për llogari të autoriteteve italiane Eldi Dizdari si pjesëtarë i kartelit “Los Blancos” pergjegjës për trafikimin e disa toneve kokainë nga Amerika latine drejt Europës. Edhe një vend si Italia ka probleme me ekstradimin nga Dubai. Dizdari është një personazh i njohur edhe ne vendin tonë ku ka qenë i përfshirë në një vrasje të ndodhur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, por që nuk u ndalua asnjëherë.
Në 11 dhjetor të vitit të kaluar po në Dubai do të arrestohej Plaurent Dervishaj. Ai akuzohet nga SPAK për vrasjen e Vajdin Lamës dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në vitin 2005. Dervishaj u lirua disa javë me vonë në një masë sigurie me të lehtë , ende dhe sot ai nuk është ekstraduar në shqipëri për shkak se nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve. Këta personazhe arrijnë të marrin studio më të mira të avokatisë dhe të paguajnë garanci pasurore disa milon dollare për të përfiuar një masë më të lehtë. Kur kjo arrihet ata qëndrojnë të pashqetësuar në këtë vend dhe autoritet tona e kanë të pamundur të bindin gjykatat në Dubai se ata duhen ekstraduar.
Në 29 maj të këtij viti u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe Florenc Çapja. Ai akuzohet nga prokuroria shqiptare për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirajt, babë e birë ngjarje e ndodhur në Elbasan ne vitin 2012. Te dy personat u vranë në shtëpitë e tyre dhe motiv i kësaj ngjarje të rëndë ishte hakmarrja. Ashtu si në dy rastet e mesipërme disa javë pas ndalaimit Florenc Çapja u la i lirë. Dosja për personat e tjerë të akuzuar ndër ta dhe Ardian Çapja është dërguar në gjykatë nga SPAK , por Florenc Çapja nuk është në bankën e të akuzuarve.
Këto janë vetëm rastet publike që dihen se kanë përdorur këtë vend për t’iu shmangur ekstradimit drejt Shqipërisë, aty ku i pret përballja me akuzat nga më të rënda që parashikon kodi penal. Por agjensitë ligjzbatuese e kanë pamundur të dinë se sa shqiptare personazhe të njohur të botes së krimit fshihen në Dubai apo në Emiratet Arabe. Një pjese e tyre udhetojnë me identitete të rreme me pasaporta të vendeve të Bashkimit Europian, gjë që mban të fshehur identitetin e tyre dhe për më tepër aktivitetin. Ne kërkuam një interviste nga policia e shtetit pikërisht për këtë problematike por deri në trasmetimin e këtij emisioni reagimi nga ky institucion nuk erdhi.
“Në Emiratet e Bashkuara, është e rëndësishme mos rrezikojnë përfshirjen në krimin atje dhe të drejtojnë bizneset e tyre. Bosët nuk e prekin mallin vetë ato e ndjekin operacionin shumë larg. Ne kemi grupe të kokainës që e kalojnë dhe buxhetin e ministrisë së Brendshme nga 150 milionë apo 200 milionë euro. Ato vendosën që të qëndronin larg syrit të mediave dhe të jetonin në vendin ku ato nuk ishin nën kërcënimin e policisë dhe të kundërshtarëve të tyre.
Një nga elementët që dëshmon se çfarë niveli ka një grup është investimi që bën ai për të siguruar informacion, jo vetëm për kundërshtarët por dhe ndaj autoriteteve. Ato korruptojnë brenda radhëve të policisë dhe të drejtësisë nëse për ato ka hetim, ka plan operacional, për vëzhgimin apo kapjen e anëtarëve të grupit të tyre,. Rastet e fundit ka informacion që ato e dinin informacionin para veprimit të gjykatës. Ato janë të interesuar që në pozicione kyçe, në shqërbimin einformativ, në tatime dhe në dogana të kenë njerëzit e tyre që ti informojnë, për to i rëndësishëm është informacioni në kohën e duhur“, ka thënë Hoxha.
Një tjetër pikëpyetje që shtrohet në një situatë të tillë është se si këta personazhe janë një hap para policisë, prokurori dhe gjykatave në Shqipëri. Ata arrijnë të largohen nga vendi ditë, madje orë para se gjykata të marrë vendimin për ti arrestuar. E gjithë kjo shpjegohet vetëm me fuqinë ekonomike që kanë këto struktura kriminale buxheti i të cilave arrin në qindra milion euro që vijnë nga trafiku i kokainës. Ata arrijnë të blejne informacione nga disa intitucione te sigurisë , madje interesi i tyre është shtuar për çdo lloj institucioni. Në këtë formë ata kanë ngritur një rrjet i cili i mundëson që të jenë gjithmonë një hap para policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Vendimi i këtyre institucioneve për ti prangosur dhe puna për të arritur në këtë përfundim shumëzohet me zero, pasi ata largohen nga vendi si qytetarë të lirë.
Pavarësisht pamundësisë së autoriteteve për të arrestuar element të botës së krimit që fshihen në vende si Dubai, ende nuk ka një strategji të institucioneve shtetërore shqiptare për të zgjidhur problematikën. Marrëveshja e Interpol ku aderon Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara, nuk mjafton.
Kjo situatë e krijuar vjen nga disa shkaqe të cilat kryesisht lidhen me punën e institucioneve të sigurisë. Policia sot ka humbur kontaktin e saj me informatorin në terren, duke sjelle vështirësi ne funksion të asaj që quhet polici kriminale. Informacioni mbi veprimtarinë e personave në kërkim apo ndaj atyre me tendencë kriminale mungon gjithmonë. Ekspertët janë të mendimit që kjo situatë zgjidhet me vullnet politik dhe investim për të rritur kapacitetet e policisë. Policia në luftë me krimin nuk hyn si e barabartë.
Ekspertët sugjerojnë një polici më shumë inteligjente se sa të tregojë muskujt. Trafikantët dhe kriminelet nuk bien ne sy, investimet që ata bëjnë me paratë e fituara i krijojnë mbulimin perfekt për të bërë aktivitet që nuk ndryshon aspak nga ai i njeriu normal. Disa policë më kallashnikov dhe grupet speciale të policisë në terren nuk mund ta luftojnë krimin e organizuar.
Një tjetër sfidë sipas ekspertëve është edhe pastrimi i radhëve të policisë a prokurorisë, nga elementët e lidhur me botën e krimit. Për këtë arsye kërkohet që vetting në polici të vazhdojë , por prej muajsh ky është një proces i cili ka ndaluar. Ekspertët sqarojnë se vetëm një polici e pastër mund të jetë efektive ndaj këtyre grupeve të cilat kanë arritur një nivel mjaft të lartë organizimi.
Shqipëria ka një strategji kundër krimit të organizuar 2021-2025 , një dokument prej 21 faqesh. Aty janë të rënditura objektivat dhe një ndër është kapja dhe dënimi i drejtuesve të grupeve kriminale. Do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë rritjes së efikasitetit të hetimeve kundër strukturave të organizuara kriminale, sidomos drejtuesve dhe financuesve të veprimtarive kriminale, thuhet në dokumentin strategjik. Por fakt është që drejtues dhe persona të rëndësishëm të grupeve kriminale janë shpallur në kërkim por nuk janë në burg.
Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është një objektiv tjetër i strategjisë pasi pranohet se krimi shqiptarë është shumë i fuqishëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me gjerë. Por edhe këtu nuk ka rezultate të dukshme pasi bosët kryesorë të arrestuar jashtë vendit, Shqipëria e ka pasur të vështirë ti ekstradojë, për shkak të mungesës së marrëveshjeve.
Parandalimi dhe dobësimi financiar i grupeve kriminale është një qëllim tjetër, por fakt është se ata janë më të fortë dhe më aktiv se kurrë. Në portin e Durrësit gjatë tre viteve të fundit janë kapur rreth 1 ton kokainë.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e kësaj Strategjie dhe e planit të veprimit është 159,576,154 euro përgjatë katër viteve dhe financuesi kryesore është buxheti I shtetit vetëm një përqindje e vogel do të paguhet nga donatorët.
Sipas kësaj strategjie të gjitha objektivat janë të renditur dhe është verifikuar se ku çalon puna e autoriteteve të sigurisë. Investimet nuk kanë munguar madje mund të jetë një nga strategjitë me më shumë kosto. Por rezultatet në terren mungojnë dhe bosët e grupeve kriminale vazhdojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre nga jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri pastrojnë paratë e fituara nga trafiku i kokainës.