Liderët e Luginës së Preshevës kërkojnë mbështetje konkrete nga Shqipëria dhe Kosova, duke dhënë si shembull mbështetjen e madhe dhe konkrete që jep Serbia për serbët e Kosovës.
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi thotë në një intervistë për emisionin Ballkan në Abc News se shqiptarët e Luginës as nuk mund ti ëndërrojnë të drejtat që kanë serbët në Kosovë.
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, kërkon mbështetjen e Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës, duke theksuar se Lugina nuk ka nevojë për ideologji, por për ndihmë dhe mbështetje konkrete.
“Ne e kemi interesin tonë si shqiptarë të Luginës së Preshevës, që të marrim pjesë. Ai është interesi ynë, ne nuk varemi nga opozita serbe, a do të marrim pjesë apo nuk do të marrim pjesë.
Ata kanë interesin e tyre. Për ne është me rëndësi që zgjedhjet janë të drejta, që tregojnë një frymë demokratike, që ia lejojnë edhe minoriteteve të tjera, pra edhe neve, që të marrim pjesë dhe të arrijmë në këto zgjedhje suksesin që ne e mendojmë për veten tonë dhe jo për dikënd tjetër”, shprehet ai.
Arifi komenton gjithashtu pjesëmarrjen e partive shqiptare me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, duke thënë se kjo nuk ka lidhje me presidentin serb Vucic, sepse partitë serbe bëhen bashkë kur bëhet fjalë për çështje nacionale.
Opozita serbe ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet parlamentare në Serbi që pritet të mbahen në pranverë.
“Ne shohim që serbët në veri të Kosovës pajisen me 300 mijë euro për problemet që kanë, për të krijuar një perspektivë të jetës, dhe mbeten serbët atje. Ne nuk e shohim këtë nga Republika e Shqipërisë, ne nuk e shohim këtë nga Republika e Kosovës”, vijon Arifi.
5 nga 6 partitë shqiptare në Luginën e Preshevës janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me një listë të përbashkët zgjedhore, në një përpjekje për të rritur numrin e deputetëve shqiptarë në parlamentin serb.
Serbia ka 22 pakica kombëtare dhe shqiptarët janë një prej tyre.